Ambasada e SHBA-ve: Të zhgënjyer nga raportimi i komisionit të ri për kufirin, ishin çorientues, të gabueshëm

Ambasada e Shteteve të Bashkuara është zhgënjyer nga raportimi i djeshëm i komisionit të ri për kufirin para komisionit të Kuvendit për Integrime Evropiane. Pohimet e tij janë të pabazuara, çorientuese, dhe të gabueshme.

Lajme

14/11/2017 17:29

Kështu thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-ve për Marrëveshjen për Demarkacionin e Kufirit.

“Marrëveshja ekzistuese pasqyron një proces të saktë të përcaktimit të kufirit, të konfirmuar nga komisioni shtetëror i Kosovës dhe ekspertë të shumtë të njohur ndërkombëtarisht. Në vitin 2015 Departamenti i Shtetit konfirmoi se marrëveshja origjinale saktësisht pasqyronte vijën kufitare që ka ekzistuar mes Kosovës dhe Malit të Zi që nga viti 1974. Që nga atëherë nuk kanë dalë fakte që do ta vënin në dyshim atë vendim. Vënia në dyshim e marrëveshjes dhe zvarritja e procesit të ratifikimit kërcënojnë marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët e saj dhe me BE-në, dhe e lënë Kosovën dhe qytetarët e saj të izoluar.

Tani është koha që institucionet e Kosovës të punojnë për të promovuar interesat e qytetarëve të Kosovës në këtë çështje. Ne nxisim politikanët e Kosovës që të shikojnë përtej interesave personale partiake dhe politikës partiake, dhe që të përqendrohen në nevojat e qytetarëve të tyre duke e ratifikuar marrëveshjen ekzistuese sa më shpejtë që është e mundur”, thuhet në fund të deklaratës. /Lajmi.net/