Zgjedhjet në Izrael: Blloku i Netanyahut prin me 53 ulëse, partitë arabe mund të vendosin për qeverinë e re

Blloku politik i udhëhequr nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është në epërsi në zgjedhjet parlamentare në Izrael, por rezultatet paraprake tregojnë se as ai dhe as opozita nuk kanë siguruar shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë. Sipas Komitetit Qendror të Zgjedhjeve të Izraelit, pas numërimit të 99,9 për qind të votave, koalicioni i Netanyahut…

Bota

29/10/2026 23:38

Blloku politik i udhëhequr nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është në epërsi në zgjedhjet parlamentare në Izrael, por rezultatet paraprake tregojnë se as ai dhe as opozita nuk kanë siguruar shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë.

Sipas Komitetit Qendror të Zgjedhjeve të Izraelit, pas numërimit të 99,9 për qind të votave, koalicioni i Netanyahut pritet të fitojë 53 ulëse në Knesset, parlamentin me gjithsej 120 deputetë. Ndërkaq, blloku opozitar, i udhëhequr nga Gadi Eisenkot, kryetar i partisë Yashar, pritet të sigurojë 48 ulëse, transmeton lajmi.net.

Të dyja palët mbeten larg shumicës parlamentare prej 61 deputetësh, e cila është e domosdoshme për formimin e qeverisë.

Në këtë situatë, partitë arabe mund të luajnë rol vendimtar në përcaktimin e përbërjes së qeverisë së ardhshme. Sipas rezultateve paraprake, dy partitë arabe pritet të fitojnë së bashku 19 ulëse, një rekord i ri për to në zgjedhjet parlamentare izraelite. Rekordi i mëparshëm ishte 15 ulëse, i arritur në zgjedhjet e vitit 2020, raporton The Times of Israel.

Ky rezultat potencialisht u jep partive arabe mundësinë të ndikojnë në përcaktimin e shumicës parlamentare, pasi asnjëri prej dy blloqeve kryesore nuk ka arritur të sigurojë vetë numrat e nevojshëm.

Rezultatet e numërimit kanë dalluar nga parashikimet e sondazheve dalëse, të publikuara menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve. Sipas tyre, blloku opozitar pritej të dilte përpara atij të Netanyahut.

Sa u përket partive veç e veç, Likud, e udhëhequr nga Netanyahu, renditet e para me 27 deputetë. Në vendin e dytë është partia Yashar e Eisenkotit, me 21 ulëse.

Partia B’Yachad, e udhëhequr nga ish-kryeministri Naftali Bennett, pritet të ketë 12 deputetë, ndërsa Lista e Përbashkët e Yousef Jabareenit siguron 11 ulëse.

Ndërkohë, partitë Ra’am dhe Demokratët kanë fituar nga tetë ulëse secila.

Rezultatet e deritanishme mbeten paraprake, ndërsa shpallja e rezultatit përfundimtar dhe zyrtar është paralajmëruar për 4 nëntor, të mërkurën e ardhshme. Deri atëherë, mbetet e paqartë se cili bllok do të arrijë të sigurojë mbështetjen e nevojshme për formimin e qeverisë së re të Izraelit./lajmi.net/