Tetë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë, disa persona përfundojnë në mbajtje

Tetë raste të dhunës në familje janë raportuar në rajone të ndryshme të Kosovës brenda 24 orëve të fundit, sipas raportit të Policisë së Kosovës. Rastet janë regjistruar në Prishtinë, Gllogoc, Obiliq, Pejë dhe Malishevë. Në disa prej tyre, të dyshuarit janë arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje, ndërsa në raste…

Lajme

31/10/2026 09:10

Tetë raste të dhunës në familje janë raportuar në rajone të ndryshme të Kosovës brenda 24 orëve të fundit, sipas raportit të Policisë së Kosovës.

Rastet janë regjistruar në Prishtinë, Gllogoc, Obiliq, Pejë dhe Malishevë. Në disa prej tyre, të dyshuarit janë arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje, ndërsa në raste të tjera procedurat po vazhdojnë në mënyrë të rregullt, transmeton lajmi.net.

Raportimet për këto raste vijnë në një kohë kur dhuna ndaj grave dhe siguria e tyre janë rikthyer në vëmendje të opinionit publik, pas vrasjes së Arlinda Zekajt. Kjo ngjarje ka shtuar edhe më shumë vëmendjen ndaj nevojës për mbrojtjen e grave dhe reagimin institucional ndaj çdo forme të dhunës dhe kërcënimit.

Rastet e fundit përfshijnë dhunë psikike, fizike dhe kanosje nga bashkëshortët apo ish-bashkëshortët. Në mesin e tyre është edhe një rast në Pejë, ku një grua ka raportuar se ish-bashkëshorti vazhdonte t’i dërgonte mesazhe, ndonëse ata ishin ndarë para disa muajsh dhe procedura e shkurorëzimit ishte në proces gjyqësor.

Në Prishtinë janë raportuar katër raste, ndërsa nga një rast është evidentuar në Gllogoc, Obiliq, Pejë dhe Malishevë.

Detajet e tetë rasteve të raportuara nga Policia:

1. Prishtinë – Dhunë psikike ndaj bashkëshortes

Gjatë periudhës 22–30 tetor, një grua ka raportuar se vazhdimisht kishte përjetuar dhunë psikike nga bashkëshorti i saj, me të cilin nuk bashkëjeton prej disa muajsh. I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

2. Gllogoc – Kanos bashkëshorten

Më 30 tetor, rreth orës 09:30, është arrestuar një burrë nën dyshimin se kishte kanosur bashkëshorten e tij. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

3. Obiliq – Dhunë psikike ndaj bashkëshortes

Një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj dyshohet se kishte ushtruar dhunë psikike ndaj saj. I dyshuari nuk është hasur nga njësitë policore, ndërsa rasti është duke u hetuar.

4. Prishtinë – Kërcënohet nga ish-bashkëshorti, policia ia bastis shtëpinë

Një grua ka raportuar se ishte kanosur nga ish-bashkëshorti i saj, për të cilin ka deklaruar se posedon armë zjarri në shtëpi. Me urdhër të prokurorit, policia ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit, por nuk ka gjetur asgjë të dyshimtë. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

5. Prishtinë – Dhunë psikike dhe kërcënime ndaj bashkëshortes

Një tjetër rast është raportuar më 30 tetor në Prishtinë, ku një burrë dyshohet se kishte ushtruar dhunë psikike dhe kishte kanosur bashkëshorten e tij. I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

6. Prishtinë – Sulm fizik ndaj bashkëshortes

Më 30 tetor, rreth orës 20:00, është raportuar se një burrë kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. I dyshuari është arrestuar, por pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.

7. Pejë – Ish-bashkëshorti vazhdonte t’i dërgonte mesazhe, gruaja thotë se ka frikë nga ai

Një grua ka raportuar se ishte ndarë nga bashkëshorti para disa muajsh dhe se së bashku kanë dy fëmijë. Pavarësisht ndarjes dhe procedurës së shkurorëzimit që është në proces gjyqësor, ish-bashkëshorti dyshohet se vazhdonte t’i dërgonte mesazhe, ndërsa ajo ka deklaruar se kishte frikë nga ai.

I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

8. Malishevë – Fjalosje mes nuses dhe vjehrrit

Një rast tjetër i dhunës në familje është raportuar në Malishevë, më 30 tetor, rreth orës 23:15, pas një fjalosjeje mes nuses dhe vjehrrit. Të dy palët janë intervistuar nga Policia dhe, me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt./lajmi.net/