Panik për Njohje

Mundësia e njohjeve të reja nga pesë shtetet anëtare të BE-së, ka aktivizuar diplomacinë serbe për t’i bllokuar ato.

Lajme

02/10/2013 12:24

Shtohet presioni nga Washingtoni dhe Brukseli te pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë një gjë të tillë.

Në një shkrim të gazetës beogradase “Vecernje Novosti”, thuhet se presioni i cili është duke iu bërë këtyre shteteve ka mundësi që të ndikojë në ndërrimin e qëndrimit refuzues të Rumanisë dhe Greqisë.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për këtë gazetë edhe vetë Kryeministri i Serbisë Ivica Dacic, i cili gjatë javës së kaluar ishte për një vizitë në Athinë, ku një nga qëllimet kryesore të kësaj vizite ishte pengimi i procesit të njohjes së Kosovës nga ky shtet.

“Kryeministrit Samaras i kam përcjell mesazhin se është shumë me rëndësi që Greqia të mos e ndryshojë qëndrim karshi mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, pasi që një gjë e tillë do të mund të ndryshojë qëndrimin edhe të shteteve të tjera”, ka thënë Dacic për këtë të përditshme.

Sipas burimeve të kësaj gazete, bëhet e ditur se Athina zyrtare ka përçuar sinjale se qëndrimi i tyre kundër njohjes së Kosovës tashmë nuk është edhe aq i qëndrueshëm. Një qëndrim i tillë, është duke ndodhur jo vetëm për arsye të problemeve ekonomike dhe varësisë nga shtetet tjera të BE’së, por edhe se Greqia nuk pretendon në forcim të marrëdhënieve me Serbinë dhe Maqedoninë  emrin e së cilës nuk e njeh.

Përveç Rumanisë dhe Greqisë, edhe Spanja, Qipro dhe Sllovakia janë në mesin e shteteve anëtare të BE’së të cilat po refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës.