“Incidenti” në Prishtinë: Batatina dënohet me dy ndeshje, Llapi merr gjobë 500 euro

Tahir Batatinës, kryetrajnerit të Llapit, i është shqiptuar masa disiplinore për mos ushtrim të detyrës për dy ndeshje sipas radhës të organizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës. Kjo u tha në vendimin e sotëm që u mor nga Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i shkallës së parë i Federata së Futbollit të Kosovës. Në…

Sport

11/09/2024 18:48

Tahir Batatinës, kryetrajnerit të Llapit, i është shqiptuar masa disiplinore për mos ushtrim të detyrës për dy ndeshje sipas radhës të organizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Kjo u tha në vendimin e sotëm që u mor nga Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i shkallës së parë i Federata së Futbollit të Kosovës.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se masa disiplinore ndaj Batatinës është: “Dënim me mos ushtrim të detyrës zyrtare për 2 (dy) ndeshje sipas radhës organizuar nga FFK”.

Pos kësaj, edhe ekipit të Llapit i janë shqiptuar gjobë me rreth 500 euro.

“II. Kryetrajnerit të KF “Llapi” nga Podujeva, z. Tahir Batatina me numër të ID-së 01144M77 i shqiptohet ‘Dënimi me gjobë prej 500.00 € (pesëqind euro)’, i cili duhet të paguhet në afat prej tetë (8) ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi”, thuhet në njoftim.

Ditë më parë, Komisioni i Garave në Albi Mall Superligën e Kosovës, kishte inicuar masa disiplinore ndaj akterëve që nuk u sollën konform rregullave të FFK-së, në xhiron e katërt. Në fokus ishte ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Llapit, e fituar nga vendasit me rezultat 3-2, njofton Klankosova.tv.

Sipas FFK-së, nikoqiri bëri lëshim në organizim.

“Gjatë gjithë ndeshjes lejohen disa persona të qëndrojnë prapa bankinës mysafire të cilët ofendojnë dhe pengojnë në kryerjen e detyrës kreytrajnerin e ekipit mysafir. Në min 3 dhe 65 shikuesit vendas “Plisat“, hedhin mjete piroteknike brenda rrethojave të fushës. Sipas raportit të zyrtarëve të ndeshjes dhe xhirimit televiziv në ndeshjen Prishtina -Llapi”, thuhet në vendimin e komisionit të garave.

Por sipas këtij organi të FFK-së edhe më të shumta janë shkeljet e klubit mysafir, duke nisur nga veprimet e trajnerit të Llapit, Tahir Batatinës.

Poashtu, sipas masave të Komisionit të Garave në Albi Mall Superligën e Kosovës, përmendet edhe ekonomi i KF Llapit, Besart Hoti, i cili thuhet se pas përfundimit të pjesës së parë ka kaluar rrethojat e stadiumit dhe është futur në fushën e lojës, në drejtim të gjyqtarëve ofendon dhe kërcënon, për çka ndëshkohet me karton të kuq direkt edhe pse nuk ishte i evidentuar në protokolin zyrtar të ndeshjes, raporton Klankosova.tv.

KF Llapi, sipas KG të FFK-së, bëri shkelje edhe pas ballafaqimit të skuadrave.

“Pas përfundimit të ndeshjes lëshon komunikatë për media, përmes së cilës akuzon gjyqtarin kryesor Genc Nuza, e ofendon dhe kërcënon të njëjtin se nuk do t’i ofrojnë siguri nëse delegohet në ndeshjet kur KF “Llapi“ i zhvillon ndeshjet në Podujevë”, thuhet në vendim.