Fazliji: Na mungon komunikimi, duhet të flasim më shumë

Betim Fazliji ka identifikuar të metat e grupit, pas humbjes ndaj Greqisë.

Sport

05/06/2022 23:05

Lojtari që u aktivizua si mesfushor këto ndeshje ka folur për pozitën e re, por edhe ato që i mungojnë Kosovës për triumfin.

“Ne mposhtëm Qipron jashtë dhe erdhëm me vetbesim në stadiumin tonë. Ishte lojë e mirë ndaj Greqisë. Ishte lojë e hapur, kishim edhe ne disa shanse por ishim pa fat. Nuk besoj se ishte karton i kuq, por gjyqtari vendosi”, ka thënë Fazliji, transmeton lajmi.net.

“Lojën e parë ishte më e vështirë por u adaptova edhe në stërvitje. Trajneri ma dha besimin këto dy ndeshje dhe po provoj maksimumin në lojë, të fitoj duele të qetësoj ndeshjen. Po ndihem mirë në këtë pozicion”, shtoi Betimi.

“Besoj që na mungon komunikimi në lojë. Duhet të flasim më shumë, ku është kundërshtari. Kjo na mungon. Kjo ndeshje duhet të harrohet dhe të bëjmë më mirë ndaj Irlandës së Veriut”, ishin fjalët e lojtarit. /Lajmi.net/