Interi ‘shfryhet’ ndaj Veronas

Inter i dha fund serisë negative prej tri ndeshjeve pa fitore në Serie A duke mposhtur Veronan 4-2 në duelin e zhvilluar në Giuseppe Meazza në kuadër të xhiros së nëntë. Nerazzurrët morën pikë të plota në përballje me skuadrën e promovuar në elitë këtë edicion, që megjithatë nuk është se erdhi e dorëzuar në…

Sport

26/10/2013 21:43

Inter i dha fund serisë negative prej tri ndeshjeve pa fitore në Serie A duke mposhtur Veronan 4-2 në duelin e zhvilluar në Giuseppe Meazza në kuadër të xhiros së nëntë.

Nerazzurrët morën pikë të plota në përballje me skuadrën e promovuar në elitë këtë edicion, që megjithatë nuk është se erdhi e dorëzuar në Meazza.

Inter kaloi në epërsi herët në minutën e dhjetë pas autogolit nga Vangelis Moras, kurse vetëm dy minuta më vonë Rodrigo Palacio e dyfishoi avantazhin e vendasve. Por, pas pak më tepër se gjysmë ore lojë, Verona bëri goditjen e parë duke ngushtuar rezultatin nëpërmjet golit nga Martinho.

Por, ende pa përfunduar pjesa e parë, Nerazzurrët realizuan sërish me mesfushorin Esteban Cambiasso. Qendërmbrojtësi Rolando shënoi për 4-1 në minutën e 56-të, kurse Souza e ngushtoi humbjen e mysafirëve me golin e tij në minutën e 71-të.

Me këtë fitore, Inter ngjitet në kuotën e 18 pikëve, gjashtë më pak se lideri Roma që të dielën paraqitet si mysafire e Udineses.