Zyrtare: Lumbardha Misini transferohet te Servette FC – Agim Ademi uron suksese në aventurën e re
Futbollistja e Kombëtares së Kosovës, Lumbardha Misini, ka kompletuar një transferim të rëndësishëm në karrierën e saj, duke nënshkruar me klubin e njohur zviceran Servette FC Chênois Féminin. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili e ka cilësuar këtë si një hap të madh për…

Sport
Futbollistja e Kombëtares së Kosovës, Lumbardha Misini, ka kompletuar një transferim të rëndësishëm në karrierën e saj, duke nënshkruar me klubin e njohur zviceran Servette FC Chênois Féminin.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili e ka cilësuar këtë si një hap të madh për futbollisten dhe një tjetër dëshmi e kualitetit të vajzave që përfaqësojnë Kosovën, transmeton lajmi.net
“Ky është një hap i madh për karrierën e saj dhe një tjetër dëshmi e cilësisë së futbollisteve tona që tashmë po shkëlqejnë edhe jashtë vendit”, ka shkruar Ademi.
Në emër të FFK-së, ai ka uruar Misinin për këtë sukses, duke theksuar krenarinë që sjell ky transferim për gjithë komunitetin e futbollit në vend.
“Federata e Futbollit e Kosovës i uron Lumbardhës shumë suksese në aventurën e re dhe është krenare që një tjetër përfaqësuese e jona do t’i tregojë vlerat e saj në një ligë prestigjioze evropiane,” përfundon postimi i kreut të FFK-së.
Misini pritet të përfaqësojë ngjyrat e Servette FC në Superligën zvicerane të futbollit për femra, një ligë që po bëhet gjithnjë e më konkurruese në arenën evropiane./lajmi.net/