Zeneli: Po mbizotëron atmosferë e mirë tek grupi, jemi gati për Bullgarinë

Ylli i Kosovës, Arbër Zeneli, ka dhënë komentet e tij për ndeshjen me Bullgarinë, pas stërvitjes së mbajtur sot në ‘Fadil Vokrri’.

Sport

23/03/2019 20:00

Zeneli i cili shkëlqeu në përballjen me Danimarkën ka thënë se një frymë pozitive po mbizotëron në kampin e dardanëve, dhe se ata janë të gatshëm të japin 100% në ndeshjen ndaj Bullgarisë.

Anësori i Reims ka komentuar edhe barazimin me Danimarkën në minutat e fundit, duke thënë se ajo nuk do t’i ulë motivin skuadrës sonë.

“Ndeshja me Bullgarinë është shumë e rëndësishme për ne dhe mendoj se miqësorja me Danimarkën na ka ndihmuar që të hyjmë në ritmin tonë. Ai gol i pësuar në sekondat e fundit të ndeshjes me danezët na ka zhgënjyer paksa, por atmosfera është shumë e mirë dhe të gjithë jemi të përqendruar te dueli me bullgarët për të dhënë 100 përqindëshin tonë” ka thënë Zeneli pas stërvitjes, përcjell lajmi.net.

“Në çdo lojë që hyjmë kemi respekt për kundërshtarin, por edhe ata tashmë kanë respekt të madh për ne, ngase e dinë se çfarë ekipi kemi. Realisht kemi sulmues shumë të mirë dhe jemi të bashkuar si ekip” ka shtuar tutje ylli që luan në Ligue 1.

“Secili futbollistë po e pret me padurim ndeshjen, sepse do të luajmë në fushën tonë para tifozëve tanë të zjarrtë, prandaj emocionet janë të mëdha” ka shtuar ndër të tjerash Arbëri.

Zeneli ishte ndër më të mirët në fushë edhe në ndeshjen ndaj Danimarkës, duke mbajtur ritmin e lartë që e përcolli në Ligën e Kombeve. /Lajmi.net/