Cannavaro: Chiellini i mirë, por Donnarumma ishte fantastik për Italinë

Fabio Cannavaro ka thurur lëvdata për Giorgio Chiellinin dhe Gianluigi Donnarumman.

Sport

17/07/2021 09:12

Cannavaro ishte duke folur në një intervistë për “Tuttorsport.com”, ku u pyet për më të mirët e Italisë gjatë “Euro 2020”, transmeton lajmi.net.

Ish-kapiteni i “Azzurrëve” theksoi se Giorgio Chiellini ishte ndër më të mirët, por atij i ka lënë përshtypje paraqitja e Donnarummas, për të cilin mendon që do të jetë portieri më i mirë në botë në 10 apo 15 vitet e ardhshme.

“Më vjen mirë që ishte Chiellini pas meje që ngriti Kupën, ishte në bankën rezervë në Berlin në vitin 2006 dhe kam luajtur me të më parë”, tha ai.

“Ka bërë një Evropian të shkëlqyer, por më i jashtëzakonshmi i Italisë ishte Donnarumma”, shtoi ai.

“Më çudit fakti që para ‘Euro 2020’ atë e konsideronin si portier normal, do të jetë portieri më i mirë në botë për 10 apo 15 vitet e ardhshme”, tha Cannavaro.

Ai u pyet edhe për Topin e Artë.

“Do t’ia jepja Messit, pasi ai ishte një protagonist i një Copa America të jashtëzakonshme”, përfundoi Fabio Cannavaro./Lajmi.net/