Vazhdojnë kritikat për ‘The Last Dance’: ”Jordan i bëri të duken të tjerët si zuzar”

‘The Last Dance’ është dokumentari që bëri bujë të madhe gjatë këtij muaji.

Sport

25/05/2020 16:50

Michael Jordan, i cili konsiderohet si një nga lojtarët më të mirë në historinë e basketbollit (debat i hapur), ka rrëfyer disa tregime nga karriera e tij, për dokumentarin e realizuar nga ESPN dhe Netflix.

Dokumentari flet për karrierën e Jordan te Chicago Bulls, me një theks të veçant te titulli i gjashtë i kampionit, kur skuadra tashmë ishte buzë shkatërrimit – shkatërrim ky që erdhi pas trofeut.

Gjithsesi, nuk kanë munguar reagimet pas këtij dokumentari. Scottie Pippen, shok skuadre i Jordan, është shprehur i pakënaqur me disa sekuenca se si ai është paraqitur në dokumentar. Njësoj, reagime ka pasur edhe nga Horace Grant e Sam Smith.

Reagimi i fundit ka ardhur edhe nga ish-ylli i NBA, Kendrick Perkins.

“Kur ju shikoni të gjithë dokumentarin, kjo bëri që Michael Jordan të duket si një superhero dhe të gjithë të tjerët të duken si zuzar”, tha Perkins për ESPN, përcjell lajmi.net.

”Michael Jordan theu çdo kod lojtar të imagjinueshëm”.

”Disa nga gjërat që ai po thoshte me Scott Burrell, duke thënë se ai ishte në klub çdo natë. Duke folur për ato që tha Horace Grant për djemtë që merrnin drogë, të gjithë, përveç [Jordan]”.

”Ai lëndoi Scottie Pippen. Njerëzit sot po e shikojnë Scottie Pippen si një individ egoist”.

” ‘The Last Dance’ ishte për të lavdëruar Michael, ashtu siç duhej të ishte. Por nuk është dashur të fyesh njerëz të tjerë për të lavdëruar madhështinë tënde, sepse vetëm madhështia jote flet vetë për vete”, përfundoi Perkins. /Lajmi.net/