Fitore bindëse e Pejës, mposht lehtësisht Kamza Basket

Peja ka shënuar fitore në udhëtim ndaj Kamza Basket me rezultat 76:113 (19:29, 19:36, 16:22, 22:26), në kuadër të javës së dhjetë të Ligës Unike.

Sport

03/02/2022 19:20

Në shtatë minuta të para të ndeshjes, sfida ishte e barabartë, deri tek rezultati 17:18, kur mysafirët ishin më të mirë, duke e fituar çerekun e parë me rezultat 19:29. Pejanët vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, duke e ngritur epërsinë minutë pas minute, duke e përfunduar pjesën e parë me 27 pikë dallim, 38:65.

Pejanët nuk u ndalën me kaq dhe në pjesën e dytë, përkatësisht periodën e tretë e ngritën epërsinë edhe më shumë, ku më e larta ishte 36 pikë, 49:85, kurse rezultati pas 30 minutash ishte 54:87. Dhjetë minutat e fundit ishin formalitet, ku pejanët menaxhuan lojën dhe nuk e rrezikuan fitoren për asnjë moment, duke fituar me shifrat 76:113.

Te Kamza Basket u dallua Eric Williams me 21 pikë e pesë kërcime, kurse te Peja u dalluan Tyrone White me 24 pikë, 10 kërcime dhe 11 asistime, si dhe Edgar Gribay me 19 pikë e dhjetë kërcime.

Kamza ka dy fitore dhe tetë humbje, kurse Peja shtatë fitore e tri humbje.

Ndërkohë, Komisari i Garave do të vendosë për ndeshjen Golden Eagle Ylli-Teuta, që ishte paraparë të zhvillohet nga ora 17:00.