Irma Konjusha, nga basketbolliste në gjyqtare, synon të gjykojë në garat ndërkombëtare

Irma Konjusha mori një vendim shumë të vështirë, për tu pensionuar si basketbolliste, ku fitoi shumë në trofe në karrierën e saj, megjithatë, ajo nuk do të largohet nga parketi.

Sport

04/02/2022 15:31

Konjusha është gjyqtare e njohur, ndërsa fundjavën e kaluar debutoi në Art Motion Superligën e Kosovës në basketboll, si ndër femrat e rralla që gjykon në elitën e meshkujve.

Ajo gjithashtu është kandidate potenciale për licencë të FIBA-s. Irma së fundi ishte pjesë e Bashkimit, kurse ka luajtur për Prishtinën dhe Penzën, duke fituar shumë trofe në karrierën e saj. Po ashtu ka luajtur për Kosovën A të femrave, duke debutuar në garat ndërkombëtare, kurse sa ishte pjesë e skuadrës prishtinase garoi në FIBA EuroCup Women.

A ishte vendim i vështirë për tu pensionuar nga basketbolli?

Konjusha: “Sigurisht se ishte vendim i vështirë për tu pensionuar, pasi është sporti i zemrës time, ku një pjesë të madhe të jetës time, e kam kaluar në parket. Megjithatë, e kam konsideruar se është koha e duhur për tu larguar si basketbolliste për t’iu përkushtuar një profesioni tjetër, me shumë rëndësi për mua”, ka thënë Konjusha për faqen zyrtare të FBK-së.

Cili është momenti më i mirë në karrierën tuaj?

Konjusha: Ka shumë momente. Kam fituar shumë trofe në karrierën time si basketbolliste. Gjithashtu kam garuar në FIBA Europe Cup Women. Si moment do të veçoja debutimin me Kosovën në arenën ndërkombëtare. Ishte hera e parë që garuam në arenën ndërkombëtare. Ishte një përvojë e paharrueshme në Qipro”, shtoi tutje 28 vjeçarja.

Je femra e parë gjyqtare që synon nga Kosova të gjykojë ndeshje në garat zyrtare të FIBA-s…

Konjusha: Ky për mua është synimi primar. Si basketbolliste kam fituar shumë trofe, ndërsa si gjyqtare, shpresoj se do të licencohem dhe të gjykojë ndeshje ndërkombëtare, të organizuara nga FIBA. Do të ishte nder dhe përgjegjësi. Shpresoj që me punë do të arrij këtë qëllim një ditë.

Cilat janë synimet tua si gjyqtare?

Konjusha: Synimi primar është të gjykoj në arenën ndërkombëtare. Por, sigurisht të gjykoj edhe në basketbollin e Kosovës, pasi garat vendore janë shumë të rëndësishme. Dua të shkoj hap pas hapi, që të ngritem në karrierë. Mendoj se përvoja si basketbolliste do të më ndihmoj shumë në karrierën time si gjyqtare.

Në fundjavën e kaluar ke debutuar në elitën e meshkujve. Si ishte ky moment për ty?

Konjusha: Ishte një moment shumë i rëndësishëm për mua. Kam gjykuar shumë ndeshje në Kosovë, por kjo ishte e para në Superligën e Meshkujve. Besoj që do të gjykoj edhe në shumë ndeshje tjera. Fakti që jam ndër femrat e rralla që ka gjykuar në elitën e meshkujve më jep shtysë dhe motivim për të ardhmen. Me ndihmën e kolegëve besoj se do ta kem më lehtë për të ardhmen.