Shoqata e Prodhuesve të Qumështit takohet me ministrin Muja: Po përballemi me situatë të rëndë si pasojë e mosgrumbullimit të një sasie të konsiderueshme dhe uljes së çmimit për rreth 30 për qind

Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës ka paralajmëruar për një gjendje të vështirë në këtë sektor, duke thënë se fermerët po përballen me mosgrumbullim të sasive të mëdha të qumështit dhe rënie të çmimit deri në rreth 30 për qind. Sipas shoqatës, situata është diskutuar në mbledhjen e Bordit Drejtues, ku është analizuar gjendja…

Lajme

09/05/2026 19:36

Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës ka paralajmëruar për një gjendje të vështirë në këtë sektor, duke thënë se fermerët po përballen me mosgrumbullim të sasive të mëdha të qumështit dhe rënie të çmimit deri në rreth 30 për qind.

Sipas shoqatës, situata është diskutuar në mbledhjen e Bordit Drejtues, ku është analizuar gjendja në terren dhe problemet me të cilat po përballen prodhuesit e qumështit në vend, transmeton lajmi.net.

Në takim kanë marrë pjesë edhe ministri i Bujqësisë, Armend Muja, si dhe përfaqësues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, të cilët kanë shprehur shqetësim për ndikimin që po ka mosgrumbullimi i qumështit në të gjithë zinxhirin e prodhimit.

Gjatë diskutimeve janë trajtuar sfidat që prekin fermerët, përpunuesit dhe tregun, ndërsa është theksuar nevoja për masa të shpejta stabilizuese.

Shoqata bëri të ditur se ministri Muja ka premtuar ndërhyrje për të adresuar situatën dhe për të mbrojtur sektorin dhe konsumatorin. Sipas tyre, priten hapa konkretë që do të ndihmonin në rikthimin e stabilitetit në fermat e qumështit në vend.

Komunikata e plotë: 

Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (SHQPK) ka bërë të ditur se sektori i qumështit po përballet me një situatë të rëndë, si pasojë e mosgrumbullimit të një sasie të konsiderueshme të qumështit dhe uljes së çmimit për rreth 30 për qind.
Sipas njoftimit, gjatë mbledhjes së Bordit Drejtues të SHQPK-së u diskutua gjendja aktuale në terren dhe vështirësitë me të cilat po përballen fermerët.
Në pjesën e dytë të takimit morën pjesë edhe ministri i Bujqësisë, Armend Muja, si dhe drejtues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ku u shpreh shqetësim për pasojat që po shkakton mosgrumbullimi i qumështit në sektor.
Gjatë diskutimeve u trajtuan sfidat reale të zinxhirit të qumështit, duke përfshirë prodhuesit, përpunuesit dhe tregun.
SHQPK njoftoi se ministri Muja ka premtuar ndërmarrjen e masave të nevojshme për stabilizimin e sektorit dhe mbrojtjen e konsumatorit.
“Besojmë dhe shpresojmë se hapat konkretë të zotuar sot do të kontribuojnë shpejt në zgjidhjen e kësaj situate dhe në rikthimin e stabilitetit në fermat tona”, thuhet në reagimin e shoqatës./lajmi.net