Gjykata Themelore në Prishtinë hap procesin për rastin e 21 të dyshuarve për krime lufte – caktohet data e seancës fillestare
Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka caktuar datën e shqyrtimit fillestar për një rast të madh penal që lidhet me aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj 21 personave të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Sipas njoftimit, aktakuza është ngritur më 15 gusht 2025 dhe përfshin një listë të gjatë të…
Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka caktuar datën e shqyrtimit fillestar për një rast të madh penal që lidhet me aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj 21 personave të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile.
Sipas njoftimit, aktakuza është ngritur më 15 gusht 2025 dhe përfshin një listë të gjatë të të pandehurve, të cilët akuzohen për veprime të kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Ata ngarkohen me veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, në bazë të dispozitave të ligjit penal të ish-RSFJ-së, të cilat janë të ndërlidhura edhe me Kodin Penal aktual të Kosovës, transmeton lajmi.net.
Gjykata ka bërë të ditur se, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, procesi pritet të zhvillohet në mungesë të të akuzuarve, pasi ata nuk kanë qenë të qasshëm për organet e drejtësisë deri në ngritjen e aktakuzës.
Autoritetet kanë apeluar që personat e përfshirë të paraqiten para institucioneve të drejtësisë në Kosovë, ndërsa qytetarët që kanë informacione për vendndodhjen e tyre të kontaktojnë Policinë e Kosovës.
Seanca e shqyrtimit fillestar është caktuar të mbahet më 1 korrik 2026, në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali, dhe do të udhëhiqet nga trupi gjykues i kryesuar nga Medie Bytyqi.
Gjykata ka theksuar se dokumentet e rastit dhe thirrjet për seancë janë publikuar zyrtarisht, ndërsa publiku do të informohet në vijim për zhvillimet e këtij procesi./lajmi.net/