Trump i jep afat BE-së deri më 4 korrik për marrëveshjen tregtare
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Bashkimi Evropian ka afat deri më 4 korrik për të zbatuar plotësisht marrëveshjen tregtare me SHBA-në, përndryshe do të përballet me “tarifa shumë më të larta”. Deklarata erdhi pas një bisede telefonike me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të enjten në mbrëmje.…
Bota
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Bashkimi Evropian ka afat deri më 4 korrik për të zbatuar plotësisht marrëveshjen tregtare me SHBA-në, përndryshe do të përballet me “tarifa shumë më të larta”.
Deklarata erdhi pas një bisede telefonike me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të enjten në mbrëmje.
Trump shtyu kështu kërcënimin e bërë javën e kaluar për rritjen e tarifave ndaj veturave të prodhuara në BE nga 15% në 25%.
“Kam pritur me durim që BE-ja të përmbushë pjesën e saj të marrëveshjes historike tregtare që arritëm në Turnberry të Skocisë. U bë një premtim që BE-ja do t’i ulte tarifat në zero”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
Ai shtoi se ka pranuar t’i japë von der Leyen afat deri në 4 korrik, që përkon me 250-vjetorin e SHBA-së.
Sipas marrëveshjes së arritur verën e kaluar, BE-ja u zotua të ulë tarifat për mallrat amerikane, ndërsa SHBA-ja pranoi një tarifë prej 15% për shumicën e produkteve të BE-së.
Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare janë duke negociuar legjislacionin që do të mundësonte heqjen e tarifave. Një raund bisedimesh dështoi të mërkurën, megjithatë ligjvënësit thanë se ka progres drejt një zgjidhjeje.
Në reagimin e saj, Ursula von der Leyen tha se të dyja palët mbeten të përkushtuara për zbatimin e marrëveshjes.
“Po bëhet progres i mirë drejt uljes së tarifave deri në fillim të korrikut”, deklaroi ajo.
Dy liderët diskutuan gjithashtu edhe për konfliktin në Lindjen e Mesme dhe programin bërthamor të Iranit. / Euro News