Pse yjet e NBA po ‘sabotojnë’ kombëtaren e SHBA-ve për Kupën e Botës?

Kupa e Botës 2019 do të mbahet në Kinë dhe favoritët mbeten të njëjtit si çdo herë.

Sport

13/08/2019 15:13

Amerikanët do të kenë vetëm një lojtar nga ‘All – NBA Team’ në fondin e lojtarëve që udhëtojnë në Kinë, por ky fakt mund ta bëjë më interesant turneun.

Emra si LeBron James, Anthony Davis, Leonard, Harden, Irving e Lillard nuk do të paraqiten me skuadrën kombëtare. Falë këtyre mungesave, SHBA-të nuk janë favoriti absolut, edhe pse mbeten favoritët kryesorë për medaljen e artë.

Tani për tani, në kampin stërvitor prej 20 lojtarëve, vetëm një Kemba Walker ishte zgjedhur në ‘All NBA Team’. Khris Middleton është lojtari i dytë që ishte pjesë e All – Star. Por, cila është arsyeja e këtyre mungesave?

Duket se të gjithë yjet e NBA kujtojnë rastin e Paul George në vitin 2014, i cili pas grumbullimit me SHBA, sezonin pasues e kaloi më shumë jashtë parketit, shkaku i lëndimeve, transmeton lajmi.net.

Një nga arsyet tjera, dhe nga më kryesoret, ishte merkatoja e lojtarëve të lirë. Afër 25% të lojtarëve në NBA kanë ndërruar skuadër gjatë kësaj vere.

Emra si Anthony Davis, Westbrook e Williamson, janë shprehur se preferojnë të punojnë me skuadrën, në mënyrë që të kapin ritmin.

Kujtojmë se tek kombëtarja e SHBA-ve është ndërruar edhe trajneri dhe tashmë ata udhëhiqen nga trajneri i San Antonio Spurs, Gregg Popovich.

Përkundër mungesave të lartpërmendura, Amerika mbetet favorite, me emra si Kyle Kuzma, Jayson Tatum e Jaylen Brown. /Lajmi.net/