Nga pesimizmi në optimizëm, Kosova nuk humbet që nga viti 2017

10 ndeshje, 9 humbje dhe një barazim – ky ishte ‘rekordi’ i Kosovës në eliminatoret e Botërorit 2018.

Sport

10/06/2019 23:53

Shumë pak besuan, shumë pesimizëm nga të gjithë, saqë Vedat Muriqi dy vite më parë deklaronte se kishte frikë se mos do bëheshin sikur San Marino e Malta.

Humbja e 9 tetorit të vitit 2017 nga Islanda është e fundit për ‘Dardanët’, që tashmë po shkruajnë histori nën drejtimin e Bernard Challandes.

Që nga ardhja e teknikut zviceran, Kosova numëron vetëm rezultate pozitive.

14 ndeshje – 9 fitore dhe pesë barazime është rekordi fantastik që po vijon ta ketë Challandes bashkë me futbollistët.

Kualifikimi në një kompeticion madhor do ishte vetëm një ëndërr dikur, por tashmë ajo ka gjasa të mëdha të kthehet në realitet ose siç tha edhe selektori i nderuar ‘’çdo gjë e mrekullueshme fillon me një ëndërr’’.

Futbollistët e Kosovës konfirmuan edhe sonte se janë të gatshëm për sfida të mëdha, ata janë gati të japin gjithçka nga vetja për të gëzuar një popull të tërë e të përvuajtur.

Ata po na shtyejnë të ëndërrojmë e të besojmë.

Kosova mund t’ia dalë! /Lajmi.net/