Nazim Suma: Kemi filluar t’i harrojmë vuajtjet që i kemi kaluar në luftë
Nazim Suma, i cili në luftën e fundit në Kosovë ka qenë refugjat në Bllacë thotë se ajo çfarë ka kaluar është e trishtueshme sepse sipas tij ka qenë eksodi më i madh që prej Luftës së Dytë Botërore.
Lajme
Suma tregon përjetimet e tij në kohën e luftës duke thënë se është detyruar të shkojë në Shkup, ku deri në Han të Elezit ka udhëtuar me autobus ndërsa prej atje e ka marrë trenin ku edhe e ka kaluar rrugën për në Bllacë.
“Kur kemi hipur në tren jemi detyruar të fshihemi unë dhe një shok tjetër. Unë e kam pas familjen tjetër në Shkup dhe iu kam bashkangjitur familjes. Ka qenë një rast i rrallë pasi që familja nuk ka pritur që mund të kthehem gjallë”, është shprehur Suma në Klan Kosova.
Tutje, Suma ndan kujtime duke thënë se disa prind që tani i ka edhe shokë, tërë kohën iu kanë lutur Zotit që edhe nëse ata vriten, fëmijët e tyre të kalojnë të gjallë, ndërsa thotë se shumica e njerëzve në Kosovë kanë filluar që t’i harrojnë të gjitha vuajtjet që i kanë kaluar.
“Shumica e neve disi kemi filluar që t’i harrojmë të gjitha vuajtjet që i kemi kaluar, por ndoshta jemi fajtorë edhe ne gjenerata më e vjetër që nuk po i transmetojmë gjërat më ashpër, kështu që kisha apeluar që mos t’i harrojmë ato që i kemi kaluar dhe të përgatitemi që ato të mos përsëriten”.