Rreth 4 milionë mungesa të nxënësve në shkollat e Kosovës për vetëm gjysmë vjetorin e parë
Gati 4 milionë mungesa janë regjistruar në shkollat e Kosovës në nivelin fillor dhe të mesëm, për vetëm gjysmë vjetorin e parë të vitit shkollor 2025/26, ku afro 1 milionë prej tyre janë pa arsye. Ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, konsideron se bashkëpunimi me komuna mund të krijojë zgjidhje. Mbi 280 mijë nxënës vijojnë mësimin…
Lajme
Gati 4 milionë mungesa janë regjistruar në shkollat e Kosovës në nivelin fillor dhe të mesëm, për vetëm gjysmë vjetorin e parë të vitit shkollor 2025/26, ku afro 1 milionë prej tyre janë pa arsye. Ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, konsideron se bashkëpunimi me komuna mund të krijojë zgjidhje.
Mbi 280 mijë nxënës vijojnë mësimin fillor e të mesëm në shkollat publike e private të Kosovës.
Por, bankat shkollore nuk janë përherë plotë.
Vetëm gjatë gjysmë vjetorit të parë të vitit shkollor 2025/26, nxënësit në Kosovë kanë grumbulluar afro 4 milionë mungesa.
Nga to, thuajse 1 milionë mungesa janë bërë pa asnjë arsye.
Në arsimin fillor, ku janë të përfshira klasat 1 deri 9-të, janë regjistruar mbi 568 mijë mungesa të paarsyeshme, rrjedhimisht çdo nxënës, mesatarisht mungoi të paktën 3 herë pa arsye.
Situatë shqetësuese është edhe në shkollat e mesme.
Mbi 67 mijë nxënës kanë grumbulluar gati 400 mijë mungesa të paarsyeshme, apo gati 6 mungesa për nxënës, për vetëm një gjysmë vjetor.
Sipas ish-zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Popovci, shumica prej tyre lidhen me ikjen nga ora.
“Shumë prej tyre i atribuohen “ikje” nga orët e mësimit, qofte për shkak të mospërgatitjes së nxënësve, mungesës së interesimit, ose edhe preokupimit të tepruar me pajisje digjitale, dhe këtu gjithmonë paraqitet një problem se ku qëndrojnë ata nxënës gjatë kohës sa s’janë në mësim”, ka theksuar Dukagjin Popovci, ish-zv.ministër i Arsimit për RTV Dukagjini.
Në anën tjetër edhe mungesat e arsyeshme figurojnë me shifra të larta për të njëjtën periudhë kohore.
Sipas Ministrisë së Arsimit, në arsimin fillor janë mbi 2 milionë, që i bie mesatarisht 10 mungesa për nxënës.
Shkollat e mesme mbi 705 mijë mungesa të arsyeshme, apo rreth 11 për nxënës.
Megjithatë Popovci, vë në dyshim edhe këtë kategori.
“Numri i mungesave të arsyeshme dominon, mirëpo nuk do të thotë asgjë sepse ata nxënës kanë humb mësim, dhe shpesh herë, këto ndodhin për shkak se familjet po vendosin qe te shkojnë në pushime gjatë vitit shkollor, bëhet fjalë për një shkëputje të zingjirit mes shkollës dhe familjes”, ka deklaruar Popovci.
Ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku thotë se zgjidhja kërkon bashkëpunim me komunat.
“Arsyet mund të jenë të ndryshme, duhet t’i shohim me kujdes, duhet të presim që komunat vetë t’i adresojnë këto çështje, ta bëjnë analizën pse vijnë në shifra të tilla të mungesave në orët e mësimit, dhe bazuar në ato të gjetura e dijmë se si duhet të veprojmë bashkërisht”, ka deklaruar Çeku.
Në nivelin fillor dhe të mesëm të ulët mësimin e ndjekin mbi 214 mijë nxënës, ndërsa atë të mesëm të lartë mbi 67 mijë nxënës.