Afati po përfundon: LDK e propozon Osmanin për Presidente, VV nuk e konsideron propozim zyrtar

Ndonëse, e dielë e vonë, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë qenë aktivë me reagime në rrjete sociale, sa i përket emrave për postin e presidentit. Nga deklarimet e fundit, VV-ja nuk po i “njeh” propozimet në rrjete sociale, pavarësisht se ishte vet Kurti ai që i kishte çuar ftesë kreut të PDK-së përmes Whatsapp, edhe pse…

Lajme

26/04/2026 23:23

Ndonëse, e dielë e vonë, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë qenë aktivë me reagime në rrjete sociale, sa i përket emrave për postin e presidentit.

Nga deklarimet e fundit, VV-ja nuk po i “njeh” propozimet në rrjete sociale, pavarësisht se ishte vet Kurti ai që i kishte çuar ftesë kreut të PDK-së përmes Whatsapp, edhe pse partia e Bedri Hamzës vazhdimisht ka kërkuar letër zyrtare nga Vetevendosje.

Ka qenë shefja e deputetëve të VV-së, Arbërie Nagavci që ka deklaruar se PDK-ja dhe LDK-ja, ende nuk kanë bërë propozime për tre emra për postin e presidentit, duke “refuzuar” që ta pranojnë si atë të Vjosa Osmanit, që e ka përmendur partia e Lumir Abdixhikut.

“Përtej deklaratave në media e rrjete sociale nga PDK e LDK, deri më tani, ne nuk kemi pranuar zyrtarisht asnjë propozim konkret karshi ofertës sonë për t’i dhënë vendit një president konsensual e unifikues”, ka shkruar Nagavci.

Kurse, shefja e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku Sadriu i është përgjigjur Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket emrit për postin e presidentit.

Lushaku Sadriu ka shkruar se emri i Vjosa Osmanit është, por ka kërkuar nga VV-ja nëse i kanë 66 vota për këtë propozim.

“A deshtët emra? Emrin e keni. Kallxoni a i keni 66 vota!”, ka shkruar Lushaku-Sadriu.

Gjithashtu, ka qenë edhe kolegu i saj partiak, Besian Mustafa që ka pyetur nëse VV-ja i ka 66 vota për propozimin e Vjosa Osmanit për presidente.

Gjatë ditës, për të njëjtën çështje ka reaguar edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Ndryshe, kanë mbetur edhe dy ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.