Mulaomerovic grumbullon Kosovën, nisin përgatitjet për Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe

Kombëtarja e Kosovës në basketboll është grumbulluar sot në Prishtinë, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve.

Sport

15/07/2019 15:31

Kosova, në krye me Mulaomerovic, do të fillojë përgatitjet për dy ndeshjet që i luan kundër Luksemburgut dhe Britanisë së Madhe.

FBK ka njoftuar për mungesën e katër lojtarëve në këtë grumbullim; Atik Koshi, Meriton Ismaili, Dardan Kapiti dhe Arian Qallaku.

Më poshtë lajmi.net ua përcjell njoftimin e plotë nga Federata e Basketbollit të Kosovës.

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll të hënën paradite kishte grumbullimin e parë, derisa stërvitjet do të mbahen edhe nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Përgatitjet do të zhvillohen dy herë në ditë, derisa gjatë fundjavës, Dardanët do të kenë dy ndeshje miqësore në udhëtim me Sllovakinë.

Stërvitja e parë ka qenë më shumë fizike, derisa me kalimin e ditëve do të shtohet edhe intensiteti. 

I vetmi që mungoi ishte Arian Qallaku, për arsye dëmtimi, kurse Dardan Kapiti, Atik Koshi dhe Meriton Ismaili ndodhen me Kosovën U-20, në Kampionatin Evropian, Divizioni B, që po zhvillohet në Portugali.

Kosova ndodhet në grup me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe, ku fituesi i grupit kualifikohet tutje.

Parakualifikimet për Eurobasket 2021 do të zhvillohen nga 3 deri më 17 gusht.