Ky pritet të jetë formacioni i Shqipërisë ndaj Turqisë

Shqipëria do të përballet nesër në mbrëmje me Turqinë, në sfidën e parë të edicionit eliminator Euro 2020, ndërsa trajneri Panucci ka drejtuar edhe seancën e fundit stërvitore, duke marrë përgjigje për dilemat e fundit në lidhje me formacionin.

Sport

22/03/2019 10:32

Kështu mesfushori i thirrur për të zëvendësuar Andi Lilën, Ylber Ramadani nuk ia ka dalë të vihet në dispozicion të Panuccit për sfidën e nesërme, ndërsa do të tentohet rikuperimi i tij për sfidën ndaj Andorrës.

Por një lajm i mirë erdhi nga sulmuesi Armando Sadiku, i cili konfirmoi sot në stërvitje se është plotësisht gati për sfidën e nesërme dhe se tashmë mbetet në dorë të Panuccit, nëse do të luajë nga minuta e parë apo jo.

Në stërvitje trajneri ka dhënë pak referenca sa i përket formacionit, por duke parë lëvizjet e tij testuese, duket se Panucci do të përdorë skemën 4-3-3 përballë Turqisë, një vendosje që mund të shndërrohet edhe në 4-5-1 në momente të caktuara.

Kështu në kuadrat, përjashtimi i Strakoshës shoi dilemat dhe nga minuta e parë do të jetë Etrit Berisha, i cili do të mbrohet me Hysajn në krahun e djathtë, Gjimshitin e Ismajlin në qendër dhe Frederik Veselin në të majtë.

Ky i fundit duket se ka fituar balotazhin me Naser Alijin, pasi bëhet fjalë për një rol të cilin e ka bërë jo rrallë te skuadra e Empolit në kampionatin italian. Sa i përket mesfushës, konfirmohen Xhaka e Memushaj, ndërsa rikthehet titullar edhe Abrashi, pas një mungese të gjatë për shkak të dëmtimit.

Në sulm Panucci duket i bindur t’i besojë Sadikut në majë, i mbështetur nga Myrto Uzuni nga e djathta, me beratasin që gëzon një formë mjaft të mirë sportive, dhe Eros Grezdën nga e majta. Gjithsesi ky i fundit është e vështirë të luajë për 90 minuta, ndaj nuk përjashtohet një surprizë e minutave të fundit, me Abazajn titullar.

Formacioni i mundshëm: Berisha; Hysaj, Gjimshiti, Ismajli, Veseli, Xhaka, Memushaj, Abrashi, Uzuni, Grezda, Sadiku.