Kundërthënie për shtesën prej 950 euro në UP

Rektorati dhe Këshilli Drejtues i UP-së nuk thonë të njëjtën gjë për diskutimin apo jo të çështjes së dhënies së shtesës prej 950 eurosh për Rektorin dhe prorektorët. Aktualisht këtë shtesë e marrin anëtarët e këshillit Drejtues, përveç rrogës bazë të tyre.

Lajme

31/03/2014 06:01

Rektorati dhe Këshilli Drejtues në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, si duket se nuk janë në një mendje për një gjë. Ata nuk thonë të njëjtën gjë kur bëhet fjalë se është diskutuar për dhënien e një shtese për Rektorin dhe prorektorët.

Shtesat mujore prej 950 eurosh aktualisht jepen për të gjithë stafin menaxhues të UP-së, por vetëm për rektorin dhe prorektorët kjo shumë nuk jepet.

Këtë propozim thuhet ta ketë dhënë Këshilli Drejtues në mbledhjen e saj të fundit.

Kështu të paktën ka thënë zëdhënësi i Rektoratit Ardian Gola, raporton Koha Ditore. Ai ka thënë se u.d Rektori Anton Berishaj nuk e ka pranuar një ngritje të tillë sepse një gjë e tillë do të mund të reflektonte gabimisht.

“Është e vërtetë që gjatë mbledhjes së datës 14.03.2014 të Këshillit Drejtues është ngritur si propozim ngritja e shtesës për rektorin dhe prorektorët”.

Rektori Anton Berishaj ka konsideruar se një ngritje e tillë nuk është e nevojshme pasi që kjo, ndër të tjera, do të reflektohej gabimisht edhe si ardhje në këtë pozitë për qëllime të përfitimeve personale”, tha Gola.

Ndërkaq, Kryetarja e Këshillit Drejtues, Shefkije Islamaj thotë një gjë të kundërt. Ajo thotë se në mbledhjet e KD-së është diskutuar për nivelizim pagash, por për dhënien e kësaj shtese për rektorin dhe prokektorët, thotë ajo, “nuk është folur në mbledhje”.

“Unë kam marrë pjesë në të gjitha mbledhjet prej se jam në krye të këtij posti dhe në njërën nga ato është diskutuar për nivelim pagash, por nuk kam dëgjuar se është diskutuar edhe për shtesat e rektorit dhe prorektorëve”.

“Çka është folur jashtë mbledhjeve nuk e di, por unë nuk kam dëgjuar për këtë propozim, pasi që ashtu kemi pasur shumë prioritete të tjera”, tha Islamaj.

Sipas burimeve të Kohës Ditore, anëtarët e Këshillit Drejtues marrin pagën mujore në vlerë prej afro 1.200 euro dhe po ashtu marrin edhe një shtesë funksionale prej 950 eurosh. E njëjta shtesë prej 950 eurosh, aktualisht nuk jepet edhe për postin e rektorit dhe prorektorëve.