Tragjedia hekurudhore në Spanjë, të paktën 68 viktima dhe 3 ditë zie kombëtare

Të paktën 68 persona kanë humbur jetën nga përplasja e 2 trenave të shpejtësisë së lartë në Spanjë, ndërsa vendi ka nisur 3 ditë zie kombëtare. Sipas agjencisë Associated Press (AP), aksidenti ndodhi të mërkurën, më 28 tetor, pranë qytetit Urda, në provincën Toledo, ku një tren i kompanisë shtetërore RENFE u përplas me pjesën…

Bota

29/10/2026 08:59

Të paktën 68 persona kanë humbur jetën nga përplasja e 2 trenave të shpejtësisë së lartë në Spanjë, ndërsa vendi ka nisur 3 ditë zie kombëtare.

Sipas agjencisë Associated Press (AP), aksidenti ndodhi të mërkurën, më 28 tetor, pranë qytetit Urda, në provincën Toledo, ku një tren i kompanisë shtetërore RENFE u përplas me pjesën e pasme të një treni të kompanisë private IRYO, i cili kishte mbetur i ndaluar në binarë.

Qeveria rajonale e Castilla-La Mancha konfirmoi të paktën 68 viktima, ndërsa sipas bilancit të raportuar nga AP, 58 persona po merrnin trajtim në spitale.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, vizitoi vendin e aksidentit dhe njoftoi shpalljen e zisë kombëtare.

Sipas dekretit të publikuar në Fletoren Zyrtare të Spanjës, zia ka nisur më 29 tetor dhe do të zgjasë deri më 31 tetor. Gjatë kësaj periudhe, flamujt kombëtarë do të qëndrojnë në gjysmështizë në ndërtesat publike dhe anijet e marinës.

Ndërkohë, ministri i Transportit, Óscar Puente, ka dhënë detaje për rrethanat që dyshohet se çuan në përplasje.

Ai deklaroi se rreth orës 08:30, një defekt kompjuterik nxori jashtë funksionit sistemin e sigurisë në një segment hekurudhor prej 63 kilometrash, duke shkaktuar ndalimin e trenave.

Megjithatë, sipas ministrit, qendra e kontrollit autorizoi rifillimin e lëvizjes së trenit RENFE pa kufizim të shpejtësisë, ndonëse në linjë vazhdonte të ishte aktiv sinjali i ndalimit.

Treni u përplas me atë të kompanisë IRYO në orën 08:53.

Puente e cilësoi të pashpjegueshëm vendimin për lejimin e lëvizjes, ndërsa theksoi se drejtuesit e trenave nuk ishin përgjegjës për aksidentin.

Autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes, përfshirë shpejtësinë me të cilën po lëvizte treni në momentin e përplasjes.

Sipas AP-së, në trenin RENFE ndodheshin 397 pasagjerë, ndërsa në atë IRYO 147 persona.

Ekipet e shpëtimit kanë vazhduar kërkimet mes vagonëve të shkatërruar, ndërsa për operacionin janë angazhuar zjarrfikësit, policia, ekipet mjekësore dhe njësitë ushtarake të emergjencave.

Për shkak të aksidentit, është ndërprerë qarkullimi i trenave të shpejtësisë së lartë ndërmjet Madridit, Ciudad Realit dhe Andaluzisë.

Kompania RENFE ka njoftuar se nga 30 tetori do të ofrojë transport alternativ për udhëtarët e prekur nga ndërprerja e linjës.

Kjo është tragjedia e dytë e rëndë hekurudhore në Spanjë gjatë vitit 2026. Në janar, një tjetër përplasje trenash në jug të vendit shkaktoi vdekjen e 46 personave, sipas AP-së.