Kosovë – Bullgari, paralajmërohen tifozët para ndeshjes

Federata e Futbollit të Kosovës ka vazhduar më paralajmërimet për tifozët që do të futen në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Sport

25/03/2019 14:20

Federata e Futbollit të Kosovës ka dhënë disa këshilla për tifozët që do të jenë prezent në ndeshjen, Kosovë – Bullgari.

FFK ka njoftuar tifozët se për çdo incident të shkaktuar mund të pësojnë dënime të rënda.

Më poshtë mund ta lexoni njoftimin e plotë të Federatës rreth ndeshjes, Kosovë – Bullgari:

Federata e Futbollit e Kosovës fton të gjithë shikuesit në stadium që gjatë ndeshjes së sotme ta përkrahin Kombëtaren e Kosovës fuqishëm dhe me dinjitet, por në asnjë rrethanë të mos bëjnë veprime që janë të kundërligjshme, siç ishte rasti në ndeshjen miqësore kundër Danimarkës, kur dy shikues i kaluan rrethojat dhe u futën në fushën e gjelbër.

FFK u bën me dije shikuesve se çdo kalim i rrethojave dhe hyrje në fushë konsiderohet vepër penale dhe do të jetë i ndëshkueshëm në bazë të Ligjit për parandalimin e dhunës dhe Ligjit kundër huliganizmit dhe dukurive tjera negative në sport.

FFK beson fuqishëm se të gjithë shikuesit do të jenë të ndërgjegjshëm për pasojat që bartin veprimet e tilla dhe se nuk do të lejojnë që persona të pandërgjegjshëm të prishin imazhin e mirë që ka krijuar FFK-ja dhe vetë tifozeria jonë “Dardanët” në ndeshjet e këtilla. /Lajmi.net/