Arifi: Shteti i ka tradhtuar çlirimtarët

Njohësi i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi ka hedhur akuza ndaj institucioneve të Kosovës për mungesën e një qëndrimi zyrtar lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë. Arifi ka thënë për “Front Online” se institucionet e vendit edhe pas nëntë ditësh, nuk kanë dalë me një deklaratë të përbashkët dhe zyrtare për t’ua bërë të…

Lajme

26/09/2026 10:21

Njohësi i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi ka hedhur akuza ndaj institucioneve të Kosovës për mungesën e një qëndrimi zyrtar lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

Arifi ka thënë për “Front Online” se institucionet e vendit edhe pas nëntë ditësh, nuk kanë dalë me një deklaratë të përbashkët dhe zyrtare për t’ua bërë të qartë partnerëve ndërkombëtarë qëndrimin e shtetit të Kosovës.

“Kjo heshtje e frikshme e shtetit të Kosovës, Qeveria, Presidenca e Parlamenti që dita e 9 nuk kemi deklarim apo deklaratë zyrtare e vulosur nga shteti i Kosovës që të u dërgohet të gjithë partnerëve dhe jo partnerëve se cili është qëndrimi zyrtar i Kosovës, a e pranojnë apo jo këtë vendim”, u shpreh Arifi.

Arifi e sheh heshtjen e shtetit si ‘tradhti’ ndaj çlirimtarëve.

“Bindja ime është që shteti në një farë mënyre i ka tradhtuar çlirimtarët”, ka thënë Arifi.

Ai ka marrë si shembull reagimin e Kroacisë, ku ka kundërshtuar vendimin duke iu referuar deformimeve të fakteve historike.

“Ashtu si Kroacia që ka thënë që është i papranueshëm për shkak të deformimeve të fakteve të historike politike dhe luftarake e Kosova nuk e ka bërë një lëvizje të tillë”, ka deklaruar Arifi.