Në këmbë për UÇK-në – Diaspora shqiptare proteston sot në disa qytete të Evropës

Kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të shprehet sot edhe jashtë Kosovës, me protesta të paralajmëruara në disa qytete të Gjermanisë dhe në Helsinki të Finlandës. Diaspora shqiptare do të mblidhet në Hamburg, Frankfurt dhe Ulm, ndërsa një protestë është paralajmëruar edhe në Kansalaistori të Helsinkit, transmeton lajmi.net. Në Hamburg,…

Lajme

26/09/2026 09:25

Kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të shprehet sot edhe jashtë Kosovës, me protesta të paralajmëruara në disa qytete të Gjermanisë dhe në Helsinki të Finlandës.

Diaspora shqiptare do të mblidhet në Hamburg, Frankfurt dhe Ulm, ndërsa një protestë është paralajmëruar edhe në Kansalaistori të Helsinkit, transmeton lajmi.net.

Në Hamburg, tubimi pritet të nisë në ora 16:00, në Frankfurt në 17:00, ndërsa në Ulm në 17:30. Protestat janë organizuar për të shprehur kundërshtimin ndaj vendimit dënues të Dhomave të Specializuara në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Ndërkohë, protesta do të ketë edhe në kryeqytetin e Kosovës. Në ora 21:00, qytetarët pritet të mblidhen në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke vazhduar tubimet për të 11-tën natë radhazi.

Protesta në Prishtinë zhvillohet nën moton “Jo në emrin tim”, ndërsa pjesëmarrësit kundërshtojnë aktgjykimin e Gjykatës Speciale.

Një ditë më parë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së organizoi protesta në disa qytete të Kosovës, ku morën pjesë veteranë, familjarë dhe qytetarë. Tubimet u zhvilluan në shenjë kundërshtimi ndaj dënimeve të ish-krerëve të UÇK-së./lajmi.net/