Irani i propozon Amerikës planin 7-ditor për Hormuzin, kërkon heqjen e bllokadës dhe rifillimin e bisedimeve
Irani ka paraqitur një propozim shtatëditor për uljen e tensioneve dhe përfundimin e konfliktit, duke ofruar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe rikthimin në negociatat bërthamore me Shtetet e Bashkuara. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka bërë të ditur se Teherani është i gatshëm ta hapë ngushticën brenda shtatë ditësh, nëse plotësohen disa kushte…
Bota
Irani ka paraqitur një propozim shtatëditor për uljen e tensioneve dhe përfundimin e konfliktit, duke ofruar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe rikthimin në negociatat bërthamore me Shtetet e Bashkuara.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka bërë të ditur se Teherani është i gatshëm ta hapë ngushticën brenda shtatë ditësh, nëse plotësohen disa kushte nga pala amerikane, transmeton lajmi.net.
Sipas propozimit, SHBA-ja duhet të heqë bllokadën detare ndaj Iranit, të pezullojë sanksionet që lidhen me eksportet e naftës dhe të respektohet një armëpushim që do të përfshinte edhe Libanin.
“Nëse plotësohen disa kushte, Ngushtica e Hormuzit do të hapet në fund të ditës së shtatë dhe bisedimet do të rifillojnë”, citohet të ketë thënë Araghchi.
Propozimi i Teheranit u është përcjellë autoriteteve amerikane përmes ndërmjetësve dhe, sipas pjesëmarrësve në një takim të zhvilluar në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, synon të shërbejë si një udhërrëfyes për përfundimin e konfliktit.
Ky plan ka ngjashmëri me një memorandum mirëkuptimi të arritur mes Iranit dhe SHBA-së në qershor, por që më pas nuk u zbatua.
Ndërkohë, Araghchi është takuar në New York edhe me ministrin e Jashtëm britanik, Ed Miliband. Gjatë takimit, ministri iranian ka kritikuar disa shtete evropiane, duke i akuzuar për qëndrime që, sipas tij, kanë ndikuar në përshkallëzimin e situatës.
Në kuadër të përpjekjeve diplomatike, presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka zhvilluar gjithashtu bisedime me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.
Katari është përfshirë në përpjekjet për ndërmjetësim mes Teheranit dhe Uashingtonit, me synim uljen e tensioneve dhe rikthimin e palëve në tryezën e negociatave./lajmi.net/