Edhe një shqiptar në Bayern
Pas Xherdan Shaqirit, një tjetër futbollist shqiptar mund të transferohet në Bayern Munich. Gjiganti bavarez është në negociata me Enis Bunjakin.
Sport
Enis Bunjaki. Ky emër mund të bëhet pasardhësi i Xherdan Shaqirit në Bayern Munich. Janë vetë drejtuesit e klubit bavarez që kanë kontaktuar familjen Bunjaki, dhe të cilët i kanë ftuar në takim.
Lajmin e konfirmon babai i lojtarit, Ibush Bunjaki.
Por kush është Enisi. Ai është 17-vjeçar, që luan me grupmoshat e reja të Eintracht Frankfurtit,por që vitin e kaluar dhe këtë dimër u grumbullua edhe nga ekipi i parë i Frankfurtit.
Ai për momentin luan me Gjermaninë U-18, kurse vitin e kaluar ishte lojtari më i ri i Kosovës në të gjitha miqësoret e zhvilluara.
Bunjaku tregon për GazetaOlle.com, ftesën e Bayernit. “Bayerni më ka ftuar në takim, i cili do të zhvillohet javën e ardhshme në Munich. Kontaktet vijnë pas ndeshjeve të mira të zhvilluara me Gjermaninë U-18. Unë do të jem bashkë me menaxherin e Enisit”, deklaroi Bunjaku për GazetaOlle.com, duke treguar se për momentin Enisi ka ende kontratë me Frankfurtin.
Pikërisht të martën Enisi shkëlqeu për Gjermaninë. Ai realizoi njërin nga dy golat e fitores ndaj Uellsit, në ndeshjen miqësore para Kampionatit Evropian U-19. Enisi barti numrin 10 në fanellë.