Trajneri i kombëtares shqiptare “shpërthen” pas humbjes kundër Austrisë – Lajmi.net
Trajneri i kombëtares shqiptare “shpërthen” pas humbjes kundër Austrisë
Autori: Lajmi.net BasketbollSport 19:58, 5 August 2017
Kombëtarja shqiptare e basketbollit i nisi me humbje paraeliminatoret e Kampionatit Botëror 2019. Kuqezinjtë u mundën dy ditë më parë nga Austria, me rezultatin 79-51 në ndeshjen e luajtur në Parkun Olimpik.

Dy ditë më pas, trajneri i përfaqësueses shqiptare, Antonis Kostandinides, më i ftohtë, bën analizën e asaj ndeshjeje dhe flet për takimet e radhës. Gjithashtu, ai jep edhe këshillat e tij për basketbollistët shqiptarë.

Në një prononcim për “RTSH Sport”, tekniku qipriot ka deklaruar: “Jam shumë i zhgënjyer. Jo nga rezultati, pasi e dinim që ishte një kundërshtar shumë i fortë dhe kishim punuar shumë se si t’i bllokonim. Si trajner, jam i shqetësuar me lojën. Nuk bëmë as gjysmën e asaj që ishim përgatitur. Niveli i skuadrës nuk është si një vit më parë, pasi ka dëmtime dhe mungesa. Kjo ndikoi që lojtarët të mos ndiqnin detyrat që i ngarkuam. Niveli është më i dobët se vjet.

Duke parë ndër vite, Shqipëria nuk ka shënuar më shumë se 70 pikë. Në këtë mënyrë, u fokusova më shumë te mbrojtja. Vjet kishim Brodus, por këtë vit ai nuk iu bashkua ekipit. Nuk kemi një organizator si ai që prodhon për të tjerët dhe shënon vetë. Duke mos pasur një organizator si Brodus, nuk nisim dot as aksionet e shpejta.

Nuk furnizojmë dot lojtarët që nisen drejt tabelës. Madje, çalojmë edhe në ribaund. Kjo ndeshje ishte pa pasion dhe me shumë nervozizëm”, u shpreh fillimisht trajneri qipriot. I pyetur për të ardhmen e tij në stolin e Kombëtares pas rezultateve të fundit, Kostandinides sqaroi:

“Kur pranova të drejtoja këtë ekip, e dija nivelin dhe vështirësitë që më prisnin. Ajo që më zhgënjen, është se edhe verën e kaluar, edhe tani këtë vit, nuk kanë ardhur të gjithë në Kombëtare. E kam diskutuar edhe me Federatën se pse disa lojtarë nuk duan të vijnë të luajnë për Kombëtaren. Unë do të vazhdoj punën, por Federata duhet t’i motivojë dhe gjejë zgjidhjen që këta basketbollistë të luajnë për përfaqësuesen shqiptare”.

Më tej, trajneri qipriot i Kombëtares ka edhe një mesazh për lojtarët që ta ndryshojnë realitetin në të cilin ndodhen. “Lojtarët në Shqipëri, gjatë vitit, vetëm një muaj gjatë grumbullimit të Kombëtares, stërviten dy herë në ditë. Në arenën ndërkombëtare nuk mbijeton dot pasi basketbollistët janë profesionistë.

Mesazhi im është ky: Nëse sportistët nuk stërviten dy herë në ditë si profesionistë, nuk do të bëjnë kurrë diferencën dhe nuk do të arrijnë të marrin rezultatet. Nuk mjafton një muaj për të bërë ndryshime të mëdha. Shumica e lojtarëve, vetëm tani në grumbullim, punojnë në sallën e forcës me peshat”, ishte mesazhi i Kostandinides.

Fjalët kyçe: Contantinides, shqiperia

Fotolajm

‘’Në makinë, ka njerëz që nuk do të takohen kurrë më!’’
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play World Soccer Champion
  • Play Zombie Big Trouble
  • Play iStunt 2
  • Play Bow Master