Ministri Gashi: Komuna e Rahovecit do t’i përfitojë rreth dy milionë euro nga MKRS

Sot, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar Komunën e Rahovecit, ku u prit nga kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi.

Sport

28/09/2018 16:04

Gjatë kësaj vizite, mes MKRS-së dhe Komunës u nënshkruan katër memorandume bashkëpunimi. Këto memorandume u nënshkruan me qëllim të mbështetjes financiare në realizimin e projekteve: “Ndërtimi i Palestrës Sportive në Komunën e Rahovecit”, “Ndërtimi i Stadiumit në Ratkoc”, “Ndërtimi i Palestrës Sportive në Krushë të Madhe – Komuna e Rahovecit” si dhe “Ndërtimi i Stadiumit të Qytetit në Komunën e Rahovecit”.

Ai njoftoi që vlera financiare e këtyre katër projekteve është dy milionë euro.

Ministri Gashi tha se ishte një kënaqësi e veçantë që vizitoi Komunën e Rahovecit dhe takoi kryetarin Latifi.

“Këto memorandume kanë të bëjnë me katër projekte kapitale në fushën e sportit në kuadër të angazhimeve tona dhe përkushtimit tonë për ta ngritë infrastrukturën sportive në Republikën e Kosovës”.

Ai po ashtu bëri të ditur se Ministria do të jetë në mbështetje të plotë të Komunës së Rahovecit edhe për projekte të tjera në fushën e kulturës e të rinisë. “Natyrisht gjithmonë do ta kemi parasysh t’i mbështesim edhe projektet që kanë për karakter organizime të shumta në Rahovec edhe te pjesa e rinisë, e kulturës dhe trashëgimisë”.

Ndërkaq kryetari i Komunës, Smajl Latifi tha: “Patëm kënaqësinë që ta kemi për vizitë ministrin, Kujtim Gashi bashkë me zv .ministren Burbuqe Bakija-Deva dhe bashkëpunëtorët e tij me të cilët patëm rastin që të bashkëbisedojmë rreth disa projekteve që janë me interes jetik për sportin e komunës së Rahovecit”.

Ai falënderoi ministrin për vizitën e tij por edhe për nënshkrimin e marrëveshjeve për realizimin e projekteve që janë në interes të komunës.

”U dakorduam që në fund të vitit të e japim mbështetjen e plotë që të përmbyllet faza e tretë dhe përfundimtare e palestrës së sporteve në Rahovec”, përfundoi ai./Lajmi.net/