Xhaka: Falë Messit, u bëra më i fortë

Granit Xhaka thotë se përballja me Lionel Messin në Botëror e ka bërë më të fortë dhe e ka motivuar për vazhdimin e karrierës. Ai thotë se njerëzit duhet të jenë krenarë me atë që e bëri Zvicra.

Sport

24/07/2014 17:40

Granit Xhaka ndihet krenar që e pati mundësinë të luante përballë Lionel Messit. Madje, mesfushori kosovar thotë se kjo e bën të ndihet më i fortë, pasi Përfaqësuesja e Zvicrës u mbajt plot 117 minuta kundër yllit argjentinas me shokë.

“Jo vetëm që e kam kaluar periudhën e vështirë pas asaj humbjeje me Argjentinën, por jam i sigurt se ajo më ka bërë më të fortë”, deklaroi Xhaka për tabloidin gjerman, “Bild’.

“Unë e kam kaluar një javë pushim në Turqi, më pas në shtëpi në Kosovë. Kam menduar shumë. Mund të themi kështu: yjet si Messi, Di Maria e Higuain, i kemi bllokuar për 117 minuta”, vazhdoi Xhaka.

“Vendi ynë duhet të jetë krenar me ne. Kjo më jep forcë për sezonin e ri me Borussian”, ka shtuar mesfushori prishtinas, i cili konfirmoi se do të qëndrojë në Borussia Monchengladbach, përkundër spekulimeve për një transferim të mundshëm në Inter.