Vuçiq i del në mbrojtje terroristit, kundërshton dorëzimin e Radoiçiqit në Kosovë: Do të ishte njohje formale e pavarësisë (VIDEO)
Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dalë kundër mundësisë që Milan Radoiçiqi, ish-nënkryetari i Listës Serbe, t’u dorëzohet autoriteteve të Kosovës, duke pretenduar se një veprim i tillë do të nënkuptonte njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në një deklarim lidhur me këtë çështje, Vuçiq ka thënë se dorëzimi i Radoiçiqit në Prishtinë nuk do të…
Lajme
Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dalë kundër mundësisë që Milan Radoiçiqi, ish-nënkryetari i Listës Serbe, t’u dorëzohet autoriteteve të Kosovës, duke pretenduar se një veprim i tillë do të nënkuptonte njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Në një deklarim lidhur me këtë çështje, Vuçiq ka thënë se dorëzimi i Radoiçiqit në Prishtinë nuk do të përbënte vetëm një akt juridik, por, sipas tij, do të kishte pasoja të mëdha politike për Serbinë, transmeton lajmi.net.
“Vetëm ta keni parasysh se dorëzimi i Radoiçiqit apo i kujtdo tjetër në Prishtinë, në çfarëdo forme, do të nënkuptonte njohjen e shtetit të Kosovës dhe fillimin e fundit të shtetit serb”, ka deklaruar Vuçiq.
Ai ka këmbëngulur se një veprim i tillë do të përbënte njohje të drejtpërdrejtë juridike të Kosovës, duke e cilësuar atë më shumë sesa një kapitullim politik.
“Kjo nuk do të ishte kapitullim, por njohje de jure e Kosovës. Nuk bëhet fjalë për njohje indirekte, por për njohje formale juridike të shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.
Gjatë deklarimit, Vuçiq është ndalur edhe te procedura gjyqësore ndaj Radoiçiqit në Serbi, lidhur me veprën penale të shkaktimit të rrezikut. Ai ka pretenduar se gjykata kishte kërkuar prova nga EULEX-i, por se ky mision kishte vlerësuar se trajtimi i çështjes i takon institucioneve të drejtësisë në Kosovë.
Milan Radoiçiqi kërkohet nga autoritetet e Kosovës për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023. Në këtë sulm u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ndërkohë, trajtimi i rastit të Radoiçiqit nga drejtësia serbe është vënë sërish në shqyrtim, veçanërisht vendimi për të mos i caktuar masën e paraburgimit, pavarësisht dyshimeve për përfshirjen e tij në vepra të rënda penale.
Sipas raportimit të mediumit serb Nova.rs, një prej arsyeve që ndikoi në moscaktimin e paraburgimit lidhej me mënyrën se si prokurori i atëhershëm, Nikola Panteliq, kishte argumentuar kërkesën për këtë masë.
Në kërkesën e tij ishte përmendur vetëm rreziku i arratisjes si rrethanë që mund të ndikonte në zhvillimin e procedurës. Megjithatë, kjo ishte konsideruar e pamjaftueshme, me arsyetimin se Radoiçiqi ishte paraqitur vetë dhe vullnetarisht për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd./lajmi.net/