Vdekja e punëtorit në Prishtinë, Hoti: Përgjegjësia të shkojë deri në fund, do të nisim inspektime me dronë

Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka folur për rastin e djeshëm ku një 26-vjeçar vdiq pas plagëve të marra ku në vendin e punës u rrëzua një vinç, duke thënë se Inspektorati Qendror i Punës, Inspektorati i Komunës së Prishtinës dhe të gjitha organet e tjera të…

Lajme

29/07/2026 20:13

Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka folur për rastin e djeshëm ku një 26-vjeçar vdiq pas plagëve të marra ku në vendin e punës u rrëzua një vinç, duke thënë se Inspektorati Qendror i Punës, Inspektorati i Komunës së Prishtinës dhe të gjitha organet e tjera të drejtësisë janë duke e shqyrtuar dhe hetuar rastin.

Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka folur për rastin e djeshëm ku një 26-vjeçar vdiq pas plagëve të marra ku në vendin e punës u rrëzua një vinç, duke thënë se Inspektorati Qendror i Punës, Inspektorati i Komunës së Prishtinës dhe të gjitha organet e tjera të drejtësisë janë duke e shqyrtuar dhe hetuar rastin.

Hoti në një prononcim për KosovaPress tha se është shumë e ulët të përdoret ky rast dhe të sulmohen palët në mes nivelit qendror dhe komunal, por sipas tij, ajo çka dihet aktualisht është se vinçi ka qenë në montim e sipër dhe se për detaje të tjera do të dalin pasi prokuroria ta jep versionin e saj dhe Inspektorati Qendror i Punës ta bëjë raportin e tij të plotë.

“Ka qenë një rast tragjik dhe i rëndë, ndoshta më i rëndi prej që ne kemi informacione. E dyta edhe Inspektorati Qendror i Punës, po besoj që edhe inspektorati i komunës dhe të gjitha organet e tjera të drejtësisë janë duke e shqyrtuar rastin, janë duke e hetuar rastin. E kompetencave, kujt i është apo faji kujt i është, mendoj që është shumë e ulët të përdoret ky rast dhe të sulmohen palët e njëra-tjetrës. Inspektorati Qendror i Punës natyrisht që ka lëshuar një deklaratë apo reagim në raport me këtë. Ajo çka ne mund të dimë aktualisht në bazë të informatave preliminare që kemi marrë është se ai vinç apo ajo pajisje ka qenë në montim e sipër. Dhe për të tjera detaje natyrisht që do të dalim me përfundim pasi që dhe prokuroria të japë të sajën për rastin dhe Inspektorati Qendror i Punës të bëjë raportin e tij të plotë. Përsëri po lutem që raste të tilla mos të shfrytëzohen thjesht të shqetësohen familjet për papërgjegjësi. Përgjegjësia duhet të lypet natyrisht, dhe përgjegjësia duhet të shkojë deri në fund, dhe përgjegjës duhet të jetë kushdo që është përgjegjës në këtë rast. Natyrisht kompetencat, është thënë në disa reagime që i pashë prej dje e sot, janë të ndara, janë të qarta me ligjin, dhe prokuroria e ka legjislacionin në fuqi dhe në fund pastaj vendos”, tha Hoti për KosovaPress.

Hoti tutje tha se sot kanë marrë një vendim, i cili do të bëhet publik nesër, ku prej 1 shtatorit, Inspektorati Qendror i Punës do të bëjë inspektime dixhitale, përfshirë ato me dronë.

Hoti thotë se nga 1 shtatori Inspektorati i Punës nis inspektimet me dronë nëpër vendpunishte

“Sot morëm një vendim, publik do të jetë nesër besoj, që prej 1 shtatorit Inspektorati Qendror i Punës do të bëjë vetëm inspektime dixhitale. Çfarë nënkupton kjo? Vetëm me laptop ose me telefon, apo çfarëdo lloj teknologjie, inspektorati do të inspektojë. Në momentin që inspektori fillon me shënimin e të dhënave, në sistem, në serverat tanë në mënyrë automatike dërgohen të dhënat. Kjo nënkupton e para transparencë, po, kontroll edhe mbi inspektorët tanë. Kjo rrit besoj kontrollin dhe efikasitetin e inspektorëve tanë. Dhe dronët janë ata të cilët prej 1 shtatorit, sepse të dyja janë prej 1 shtatorit, do të jenë në funksion të inspektorëve tanë”, tha Hoti.

Dje në Lagjen e Spitalit dy të rinj janë lënduar si pasojë e rrëzimit të një vinçi, ku njëri prej tyre nuk ka arritur t’u mbijetoj plagëve të marra dhe ka vdekur në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.