Ish-këshilltari kryesor mjekësor i Shtëpisë së Bardhë, Anthony Fauci refuzon t’u përgjigjet pyetjeve në Senatin amerikan për COVID-19
Ish-këshilltari kryesor mjekësor i Shtëpisë së Bardhë, Anthony Fauci, ka përdorur të drejtën e tij kushtetuese sipas Amendamentit të Pestë për të mos iu përgjigjur pyetjeve gjatë një seance dëgjimore në Senatin amerikan lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19. Fauci u paraqit para Komitetit të Sigurisë Kombëtare dhe Çështjeve Qeveritare të Senatit, në një seancë…
Bota
29/07/2026 18:11
Ish-këshilltari kryesor mjekësor i Shtëpisë së Bardhë, Anthony Fauci, ka përdorur të drejtën e tij kushtetuese sipas Amendamentit të Pestë për të mos iu përgjigjur pyetjeve gjatë një seance dëgjimore në Senatin amerikan lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Fauci u paraqit para Komitetit të Sigurisë Kombëtare dhe Çështjeve Qeveritare të Senatit, në një seancë të drejtuar nga senatori republikan Rand Paul, i cili prej kohësh e ka kritikuar rolin e Faucit gjatë pandemisë dhe ka ngritur pyetje për çështje si financimi i kërkimeve mbi viruset dhe origjina e COVID-19.
Gjatë dëshmisë, Fauci deklaroi se, me këshillën e avokatëve të tij, do të përdorte të drejtën për të mos dhënë përgjigje nëse ato mund ta ekspozonin ndaj vetë-inkriminimit.
Ai kritikoi gjithashtu senatorin Paul, duke e akuzuar për një fushatë të vazhdueshme kundër tij, shkruan cnn.
Senatori Rand Paul e kundërshtoi vendimin e Faucit për të heshtur, duke argumentuar se ai duhet t’u përgjigjej pyetjeve të Kongresit.
Seanca u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, ndërsa palët shkëmbyen akuza për motivet politike të hetimit.
Përplasja mes Faucit dhe Rand Paul ka vite që vazhdon dhe është rikthyer në qendër të debatit politik në SHBA, veçanërisht për shkak të diskutimeve mbi origjinën e coronavirusit, politikat e pandemisë dhe vendimmarrjen shëndetësore gjatë krizës globale, transmeton telegrafi.
Ndryshe, presidenti amerikan, Donald Trump ka reaguar duke pohuar se “Biden i dha Faucit pushtet të madh dhe shkatërrues. Pjesa tjetër është histori”.
Trump përsëriti gjithashtu pretendimin e tij se virusi COVID-19 kishte origjinën nga laboratori në Wuhan të Kinës, një teori që Fauci e ka kundërshtuar dhe për të cilën ka pasur debate të vazhdueshme në komunitetin shkencor.