KRU “Mitrovica” pas sulmit me armë ndaj ekipit: Konsumatori kishte borxhe për ujë, incidenti ndodhi gjatë çkyçjes nga rrjeti

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka reaguar pas sulmit të armatosur ndaj ekipit të saj në terren, duke bërë të ditur se incidenti ndodhi gjatë një aksioni për çkyçjen e një konsumatori nga rrjeti i ujësjellësit për shkak të borxheve të papaguara. Në reagimin e kompanisë thuhet se konsumatori kishte qenë i furnizuar rregullisht me…

Lajme

29/07/2026 19:14

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka reaguar pas sulmit të armatosur ndaj ekipit të saj në terren, duke bërë të ditur se incidenti ndodhi gjatë një aksioni për çkyçjen e një konsumatori nga rrjeti i ujësjellësit për shkak të borxheve të papaguara.

Në reagimin e kompanisë thuhet se konsumatori kishte qenë i furnizuar rregullisht me ujë, por nuk i kishte përmbushur obligimet financiare ndaj KRU “Mitrovica”, pavarësisht njoftimeve, paralajmërimeve dhe mundësisë për të lidhur marrëveshje për shlyerjen e borxhit, shkruan lajmi.net.

“Gjatë ndërmarrjes së veprimeve për çkyçjen nga rrjeti, punonjësit tanë janë përballur me sjellje të dhunshme, ku, sipas informacioneve të deritanishme, ndaj tyre është përdorur armë zjarri”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Sipas KRU “Mitrovica”, nga incidenti nuk ka persona të lënduar, megjithatë rasti është cilësuar si tejet serioz dhe i papranueshëm.

Kompania ka dënuar ashpër çdo formë të dhunës, kërcënimit apo pengimit të punonjësve gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, duke theksuar se siguria e stafit duhet të jetë e pacenueshme.

Njëkohësisht, KRU “Mitrovica” u ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe organeve të drejtësisë që ta trajtojnë rastin me prioritet, të identifikojnë përgjegjësit dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Në fund, kompania ka apeluar te qytetarët që çdo çështje që lidhet me faturat apo borxhet për shërbimet e ujësjellësit ta zgjidhin përmes rrugëve institucionale, duke theksuar se dhuna nuk mund të jetë kurrë zgjidhje dhe nuk do të tolerohet ndaj punonjësve që ushtrojnë detyrën e tyre. /Lajmi.net/

<