Spektakël në “Zahir Pajaziti”, Llapi arrin ta mposht Ballkanin

KF Llapi ka bërë befasinë e javës në kuadër të xhiros së 22-të të Superligës.

Sport

28/02/2021 15:27

Llapjanët e nisën mirë ndeshjen dhe ishin më kërkues, transmeton lajmi.net.

Pjesa e parë përfundoi pa gola por, rastin më të mirë e pati anëtari i Llapit, Kastriot Selmani i cili nga një pozitë e volitshme gjuajti me kokë, por mbi portë.

Në pjesën e dytë, Ballkani dukej se nuk do të gabonte dhe do ta kishte më të lehtë të fitonte ndeshjen. Kjo pasi lojtari i Llapit, Coric u ndëshkua me të kuq në min (61’).

Por, përkundrazi disavantazhit numerik në fushë, Llapi shënoi. Ishte Sadriu i cili i dha epërsinë skuadrës në min (69’).

Llapi arriti të marrë tre pikë të “arta” në Stadiumin Zahir Pajaziti në Podujevë.

Tani, Ballkani zbret në pozitën e dytë, me 45 pikë, ndërsa Llapi ngjitet në pozitën e gjashtë me 26 pikë.

Rezultati përfundimtar, KF Llapi 1-0 Ballkani./Lajmi.net/