Sot nuk ka protestë, studentët po presin vendimet e Senatit të UP-së

Ndonëse paralajmëruan vazhdim të protestës, studentët sot nuk bllokuan njësitë akademike. Ata po presin të mbahet mbledhja e Senatit, që është e paraparë për në orën 13:00, ku varësisht prej vendimeve që mund të dalin nga aty, studentët thonë se do të dalin me një qëndrim për vazhdimin apo ndërprerjen e protestave.

Lajme

02/03/2015 11:46

KosovaPress ka filmuar disa nga fakultetet e Universitetit të Prishtinës, të cilat po punojnë të gjitha në mënyrë të rregullt. Fakulteti Ekonomik, Juridik, Filozofik, ai i Edukimit dhe Filologjisë janë në shërbim të rregullt të studentëve.

Fillimisht organizatorët e protestës thanë se edhe sot do të bllokojnë njësitë akademike në shenjë pakënaqësie për vendimet e rektorit. Por, kjo nuk ndodhi.

KosovaPress ka kontaktuar me disa prej tyre. Ata kanë thënë se sot nuk kanë paraparë ndonjë paraqitje për media. Veçse, përmes telefonit, thanë se po presin se çka do të dalë nga mbledhja e Senatit.

“Sot do të mbahet mbledhja e Senatit, do të presim që të përfundojë në mënyrë që të marrim ndonjë vendim se çfarë do të bëjmë tutje. Nuk kemi paraparë ndonjë konferencë për media sot, më vjen keq”. Sot nuk kemi bllokuar njësitë akademike, më duket se vetëm në Fakulteti Teknik në mëngjes kanë shprehur pakënaqësitë e tyre para mbledhjes së Senatit, kanë thënë organizatorët e protestës.

Javë më parë një grup i studentëve të UP-së, ka filluar të shprehë revoltën për vendimet e marra nga rektori Ramadan Zejnullahu. Studentët kërkonin të iu kthehej mundësia për të hyrë në 2 provime në afate të jashtëzakonshme, të ktheheshin në sistemin e kaluar ku kushti për vitin e ardhshëm të fitohej me 7 provime e jo me 9 siç ka marrë rektori vendim dhe kërkoni lirimin nga pagesa e semestrit për kategoritë e veçanta. Ndër këto kërkesa, ishte edhe çështja e bursës, ku studentët kërkonin që të kthehej në atë shumë sa ishte më parë.

Fillimisht studentët patën thënë se e kanë edhe përkrahjen e organizatave të dala nga lufta, por më vonë ata deklaruan se janë të vetëm në këtë protestë.

Studentët e UP-së, paralajmëruan protesta me aksione të dhunshme, por në të gjitha paraqitjet e revoltës së tyre, situata ishte e qetë dhe në kontroll.