Italia ashpërson masat kundër protestuesve të dhunshëm, 500 ushtarë angazhohen në Milano – dënime deri në pesë vjet burgim

Qeveria italiane ka ndërmarrë hapa për ashpërsimin e masave kundër protestave të dhunshme, pas trazirave të fundjavës së kaluar, ndërsa Milano pritet të jetë një nga qytetet ku do të zbatohet më fuqishëm paketa e re e sigurisë. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka bërë të ditur se synon të rrisë dënimet për personat që përfshihen…

Bota

24/10/2026 16:20

Qeveria italiane ka ndërmarrë hapa për ashpërsimin e masave kundër protestave të dhunshme, pas trazirave të fundjavës së kaluar, ndërsa Milano pritet të jetë një nga qytetet ku do të zbatohet më fuqishëm paketa e re e sigurisë.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka bërë të ditur se synon të rrisë dënimet për personat që përfshihen në akte dhune gjatë protestave. Sipas BBC-së, trazirat e fundit përfshinë edhe adoleshentë, të cilët dëmtuan dyqane e vetura, si dhe plaçkitën biznese, transmeton lajmi.net.

Në kuadër të masave të reja, rreth 500 ushtarë do të angazhohen në Milano për të mbështetur forcat policore në ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

“Protestimi është e drejtë, shkatërrimi i qyteteve tona nuk është”, ka deklaruar Meloni.

Legjislacioni i ri parasheh krijimin e një vepre të veçantë penale për pjesëmarrjen e dhunshme në protesta. Personat që hedhin mjete piroteknike ose gurë mund të përballen me dënime deri në pesë vjet burgim.

Masat e propozuara përfshijnë edhe të rinjtë e moshës 14 deri në 18 vjeç, të cilët mund të mbajnë përgjegjësi penale. Po ashtu, policia do të ketë mundësi t’i ndalojë paraprakisht personat për të cilët dyshohet se paraqesin rrezik.

Një tjetër element i paketës është parimi “e thyen, e paguan”, i cili parasheh që personat përgjegjës për dëmtimin e pronës publike ose private të detyrohen të kompensojnë dëmet. Kjo mund të përfshijë dëmtimin e stacioneve të autobusëve, dyqaneve dhe objekteve të tjera. Në rastet kur dëmet shkaktohen nga të miturit, përgjegjësia financiare mund t’u bartet prindërve të tyre.

Gjatë prezantimit të masave, Meloni ka pranuar se shumë të rinj në Itali përballen me vështirësi në gjetjen e një pune dhe sigurimin e pagave të mira. Megjithatë, ajo ka theksuar se problemet ekonomike nuk mund të përdoren si arsyetim për veprime të dhunshme.

“Vështirësitë nuk mund të jenë arsyetim për dhunën”, ka deklaruar kryeministrja italiane.

Masat e reja synojnë të forcojnë reagimin e autoriteteve ndaj akteve të dhunës dhe dëmtimit të pronës gjatë protestave në Itali./lajmi.net/