Si e la pas dore Kurti njeriun më të afërt të tij? Glauk Konjufca pothuajse i pavërejtur në këtë fushatë
Glauk Konjufca, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ish-ministër i Punëve të Jashtme dhe bashkëpunëtor i ngushtë i kreut të LVV-së, Albin Kurti është bërë i heshtur kohëve të fundit sa i përket angazhimit të tij politik.
Lajme
Që prej thellimit të bashkëpunimit Kurti – Osmani, Konjufca është treguar më i heshtur dhe më i tërhequr ngase ishte më parë, shkruan lajmi.net.
Aktivizmi i tij politik ka pësuar një rënie tash e disa muaj, por as fushata zgjedhore nuk e ka ngjallur ish-ministrin Konjufca.
Në media është raportuar se privilegji i Osmanit në listën e Vetëvendosjes e ka hidhëruar Konjufcën, por njëkohësisht në fare pak vende në fushatë Konjufca është parë me Kurtin.
Konjufca në Facebook’un e tij ka të publikuara pjesëmarrjen vetëm në dy ngjarje ku ka qenë prezent Kurti, ndërsa aktivitetin tjetër e ka në vendlindjen e tij në Llugaxhi të Lipjanit.
Ai ishte i pranishëm në prezantimin e programit të Lëvizjes Vetëvendosje në emision te gazetarja Jeta Xharra, por i njëjti ka qenë shumë pak aktiv në terren me partinë e tij.
Si me një tendencë për t’i shuar zërat që po çarkullonin në media, Konjufca gjatë vizitës së VV-së në Dardanë në Facebook’un e tij kishte publikuar fotografi me Osmanin e Kurtin duke shkruar “Me Albinin Kryeministër dhe Vjosën Presidente!”.
Por pas kësaj, të nesërmen ai ishte i vetëm në aktivitetin e fushatës në vendlindjen e tij.
Për numrin e ndryshimit 127.
Me Albinin Kryeministër dhe Vjosën Presidente!Në Dardanë #KREJTDHEDREJT!
Posted by Glauk Konjufca on Monday, February 8, 2021
Konjufca kishte shkruar në këtë postim “Në vendlindjen time në Llugaxhi të Lipjanit. KREJT dhe DREJT për numrin e ndryshimit 127”, dhe nuk kishte treguar ndonjë entuziazëm të theksuar politik siç jemi mësuar ta shohim.
Në vendlindjen time në Llugaxhi të Lipjanit.
KREJT dhe DREJT për numrin e ndryshimit 127!
Posted by Glauk Konjufca on Tuesday, February 9, 2021
Prezenca e Konjufcës u vërejt edhe në homazhet tek varri i aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët u vranë para 14 viteve. Por ai nuk ishte prezent pothuajse në asnjë qytet që Kurti e Osmani e vizituan së bashku.
Konjufca gjithashtu ishte i pranishëm sot nga aktiviteti përmbyllës i Lëvizjes Vetëvendosje në qytetin e Prishtinës ku u mblodhën pak qytetarë, por përveç një video-live, ai nuk është deklaruar fare.
Arsyet për këtë heshtje të Konjufcës nuk janë të njohura për publikun dhe vet Konjufca nuk është deklaruar, nuk ka mohuar e as pohuar nëse marrëdhëniet e tij me Kurtin dhe VV-në janë ftohur, por mungesa e tij është vërejtur në publik. /Lajmi.net/