Dogana e Kosovës sekuestron mbi 122 mijë euro dhe valutë të huaj në pikën kufitare Dheu i Bardhë
Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ka parandaluar një rast të tentimit të mosdeklarimit të mjeteve monetare në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë, gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës. Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur sot, rreth orës 09:15, kur një automjet me targa të huaja, i drejtuar nga një shtetas i…
Lajme
Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ka parandaluar një rast të tentimit të mosdeklarimit të mjeteve monetare në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë, gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur sot, rreth orës 09:15, kur një automjet me targa të huaja, i drejtuar nga një shtetas i Republikës së Rumanisë me gjithsej katër udhëtarë, është ndalur për kontroll rutinë.
Gjatë pyetjes standarde doganore për deklarimin e mjeteve monetare mbi pragun ligjor prej 10,000 euro për person, udhëtarët janë deklaruar se nuk posedojnë mjete për deklarim. Megjithatë, pas kontrollit fillestar, zyrtarët doganorë kanë gjetur në një çantë dore të fshehura 32,500 euro.
Pas dyshimeve të ngritura, automjeti është dërguar në vijën e dytë të kontrollit, ku në bashkëpunim me Policinë Kufitare është kryer kontroll i detajuar. Gjatë këtij kontrolli, në hapësira të fshehura të automjetit, përfshirë pjesën e akumulatorit dhe nën plastikën e gomës rezervë, janë zbuluar edhe 90,100 euro shtesë, si dhe 4,187 lei rumunë (rreth 800 euro).
Në total, autoritetet kanë sekuestruar mjete monetare të padeklaruara në vlerë prej 122,600 euro dhe 4,187 lei rumunë.
Rasti është dërguar për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa Dogana e Kosovës ka rikujtuar se çdo person që hyn ose del nga territori doganor i Kosovës dhe bart mjete monetare mbi 10,000 euro është i obliguar t’i deklarojë ato.
Mosdeklarimi i mjeteve monetare, sipas Doganës, përbën shkelje ligjore dhe i nënshtrohet procedurave administrative dhe ligjore në fuqi. /Lajmi.net/