Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është në pritje të vendimit për caktimin zyrtar të datës së zgjedhjeve të radhës, të cilat pritet të jenë të parakohshme.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar për lajmi.net se një nga hapat e parë të institucionit pas caktimit të datës së zgjedhjeve do të jetë rishikimi dhe përshtatja e afateve të aktiviteteve zgjedhore, në përputhje me rrethanat dhe kohën në dispozicion.
Sipas tij, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i jep të drejtë KQZ-së që të përshtasë afatet kohore të aktiviteteve zgjedhore, duke u bazuar në ditët që ka në dispozicion për organizimin e procesit zgjedhor.
“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ia jep të drejtën KQZ-së që afatet kohore të aktiviteteve zgjedhore të përshtaten me ditët në dispozicion të KQZ-së për organizimin e këtyre zgjedhjeve”, ka deklaruar Elezi.
Ndryshe Elezi ka sqaruar se me planin e aktiviteteve zgjedhore rregullohen të gjitha çështjet kryesore të procesit, të cilat përfshijnë votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit. Në këtë kuadër, përcaktohen afatet për formimin e koalicioneve dhe deklarimin e mospjesëmarrjes në zgjedhje, certifikimin e subjekteve politike dhe dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë, si dhe periudha e fushatës zgjedhore.
“Me planin e aktiviteteve, KQZ rregullon çështjet mbi të cilat ndërtohet i gjithë procesi zgjedhor dhe që kanë të bëjnë me votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit. Pra, këtu përcaktohen afati për partitë politike për të formuar koalicione dhe deklaruar mospjesëmarrjen në zgjedhje; afatin për subjektet politike për t’u certifikuar e për të dorëzuar listën e kanidatëve për deputetë; dhe periudhën e fushatës zgjedhore”.
Po ashtu, ky plan përcakton edhe afatet për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, mënyrën e votimit përmes postës dhe në përfaqësitë diplomatike, si dhe regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta.
Në kuadër të përgatitjeve zgjedhore, KQZ do të caktojë gjithashtu afatet për akreditimin e vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe përfaqësuesve të mediave, duke siguruar mbikëqyrjen dhe transparencën e procesit zgjedhor.
“Pjesë e këtij plani është edhe vendosja e afateve për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave”, ka thënë Elezi.