Shumë rrugë nacionale që tri vite pa mirëmbajtje të sinjalizimit, komunave nuk u bëhet vonë

Rrugët nacionale dhe rajonale në Kosovë janë nën autoritetin e Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapsionor dhe Infrastrukturës. Komunave nuk u bëhet shumë vonë nëse siguria në trafikun rrugor në këto rrugë nuk është në nivel ani pse ato kalojnë nëpër territorin e tyre. Për to, mjafton që rrugët lokale të jenë në rregull.

Lajme

04/05/2021 20:14

Siguria në trafikun rrugor është një nga problemet kryesore me ndikim të madh për shëndetin publik në mbarë botën. Tashmë është thënë disa herë që, vdekjet dhe lëndimet serioze në aksidentet rrugore mund të parandalohen nëse menaxhohen shkaktarët e aksidenteve dhe se kjo mund të arrihet përmes menaxhimit efektiv të sigurisë rrugore duke u fokusuar në rezultate dhe burime. Që mbi tri vite, shteti i Kosovës ka lënë pa mirëmbajtje të shenjave rreth 700 kilometra rrugë nacionale, ngase nuk ka mundur të përfundojë ligjërisht procedurat tenderuese që do të obligonin kompanitë për mirëmbajtjen e tyre. Kësisoj ngasja nëpër to është bërë shumë e rrezikshme, sidomos gjatë natës kur bije shi, e shenjat nuk duken fare, shkruan lajmi.net.

Që mbi një muaj të gjitha rrugët nacionale dhe rajonale në Kosovë janë pa mirëmbajtje të shenjave në trafik (horizontale dhe vertikale). Kjo ngase ka skaduar kontrata e mëhershme.

Komunat e Kosovës nëpër të cilat kalojnë këto 700 km rrugë nuk kanë bërë asnjëherë presion në ministri që të respektohet ligji për komunikacion rrugor në mënyrë që qytetarët e tyre të mos i ekspozohen rrezikut.

Njëra prej komunave nëpër të cilën janë disa kilometra rrugë pa mirëmbajtje të sinjalizmit tash e tri vite është Peja.

Xhevahire Çeku –Kelmendi, drejtore në Drejtorinë për Punë Komunale dhe Shërbime Publike në Komunën e Pejës ka thënë për lajmi.net se nuk kanë bërë kërkesë në ministri që rrugët të pajisen me sinjalistikë.

“Ne deri më tani nuk i kemi bërë ndonjë kërkesë Ministrisë, sepse kemi besuar se ata duhet të dinë kompetencat e tyre dhe duhet të realizojnë detyrat që ua përcakton ligji. Është e vërtetë se disa rrugë regjionale që kalojnë nëpër komunën tonë janë në gjendje të keqe. Por, sa i përket rrugëve lokale qëndrojmë shumë mirë dhe të gjitha punët i kryejmë më kohë”, tha Çeku –Kelmendi.

Rrugët që e prekin këtë komunë janë ato pa sinjalistikë si: Mutivodë- Prishtinë –Pejë, Pejë –Kullë, Pejë –Prizren.

Istogun e përshkojnë rrugët pa  mirëmbajtje të sinjalizimit si ato: Bellopoj-Istog-Vrellë, Istog Klinë.

Kryetari i Komunës së Istogut Haki Rugova e pranon se sinjalizimi në këto rrugë është shumë i keq, por nuk e shpjegonte qartë nëse kanë bërë kërkesë në ministri që rrugët në Komunën e tyre të trajtohen sipas ligjit mbi komunikacion.

“Siç e dini, rrugët nacionale e rajonale janë kompetencë e ministrisë përkatëse. Sigurisht që ne kemi pas bashkëpunim të mirë në të gjitha periudhat dhe presim që të vazhdojë edhe më tutje. Pra,sinjalizimi është keq. Po besoj që është problem procedure. Këto ne i adresojmë aty ku duhet”, tha Rugova

Po ashtu, rrugët nacionale të cilat që mbi tri vite janë pa asnjë mirëmbajte, e në të cilat thuajse nuk shihen më vijat janë edhe ato: Skend – Klinë – Vushtrri, Arllat-Rahovec –Xerx, Doll-Ponoshec, Deçan  -Junik  – Ponoshec, Kramovik – Xerxe, Kijev -Malishevë –Dule, Leban – Janjevë, Raushiq – Gllogjan – Zajm, Mitrovicë-Bajgorë, Mitrovicë –Prill- Shkabaj.

Mirëmbaja që ka munguar në këto rrugë ka qenë: tërheqja e vijës së mesit e ndërprera; tërheqja e vijës së pa ndërprera; tërheqja e vijave kufizuese; punimi i vijave të stopit; punimi i vijave të rreshtimit; Punimi i ishujve dhe vendkalimeve; punimi i shigjetave dhe mbishkrime.

Tenderi i ministrisë për dy pjesë (lot 2 dhe 3) ka hasur në pengesa ligjore që mbi tri vite dhe kjo lëndë e prokurimit po për kaq vite ishte gjykuar në OSHP. Para pak ditëve MMPHI e ka anuluar krejt procedurën tenderuese, me arsyetimin se nuk ka pasur asnjë ofertë të përgjegjshme. Ky vendim bie ndesh me Ligjin e Prokurimit Publik mbi bazën e të cilët procedojnë institucionet publike kur lidhin kontrata. Kjo ngase, paraprakisht ka pasur një ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit -OSHP që ka të bëjë me këtë procedurë, e cila nuk ishte shqyrtuar nga Bordi i OSHP-së. Kjo e obligonte ministrinë që të mos ndërmarrë asnjë hap për këtë aktivitet të prokurimit, derisa bordi të nxjerrë një vendim mbi ankesën e pranuar.

Mal Lokaj, drejtor në Departamentin për Menaxhimin e Rrugëve në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapsionor dhe Infrastrukturës ka thënë se është dorëzuar në ministri plani i hollësishëm për pjesët që u kishte skaduar kontrata.

“Tu themi të drejtën një pjesë e rrugëve janë që nja tri vite pa sinjalizim. Ne kemi bërë planin dhe e kemi dorëzuar, besoj se shumë shpejtë prokurimi do të inicojë procedurat. Ende nuk e dimë mirë se a do të hapët tenderi për të gjitha lotot përnjëherë, pasi ne e kemi dorëzuar planin vetëm për pjesët që ua ka skaduar kontrata. Tash do të shohim se si do të veprojmë edhe për ato dy pjesët tjera”, tha Lokaj për lajmi.net.

Lidhur më problemet për sinjalizimin e rrugëve lajmi.net ka raportuar disa herë në dy vitet e fundit. /Lajmi.net/