Rrugët pa sinjalistikë, plot sinjale për krim në ministri

Janë përmbyllur gjashtë nga tetë kontratat që kanë të bëjnë me “Sinjalizimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve në rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovës”. Ndërkohë, edhe pas tri viteve, Ministria e Infrastrukturës nuk ka arritur të nënshkruaj dy kontrata ngase vazhdimisht ka bërë shkelje ligjore. Kësisoj rreth 700 km rrugë kanë mbetur pa mirëmbajtje tash e tri vite.

Lajme

26/03/2021 12:01

Më 22 dhe 23 mars kanë përfunduar gjashtë kontratat e nënshkruara tri vite më parë që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e sinjalizimit në rrugët rajonale dhe nacionale të Republikës së Kosovës. Dy kontrata (lot 2 dhe lot 3) që mbulojnë rreth 700 km rrugë, kryesisht në zonat e Dukagjinit nuk janë nënshkruar asnjëherë dhe atë pjesë nuk e ka mirëmbajtur askush.

Para pak ditëve, Ministria e ka shpallur një fitues për këto dy pjesë të rrugëve, por mbetet të shihet si do të rrjedhë procesi, pasi kompanitë kanë ushtruar ankesë, duke konsideruar që përsëri janë bërë shkelje nga ana e prokurimit, shkruan lajmi.net.

Ministria është vonuar që të shpallë tender para se të skadojnë kontratat paraprake, dhe akoma nuk e ka bërë një gjë të tillë deri më sot. Kësisoj të gjitha rrugët rajonale dhe nacionale do të mbesin pa mirëmbajtje të sinjalizimit edhe disa muaj.

Zyra e Informimit e MI-së nuk është përgjigjur në pyetjet e lajmi.net se pse nuk është shpallur ofertë publike akoma për tenderin e sinjalistikës rrugore. Por, burimet e lajmi.net kanë bërë të ditur se tenderi është në fazën finale të shpalljes.

Tri vite shkelje asnjë ndëshkim

MI, e cila udhëhiqej nga Lutfi Zharku i LDK-së në gusht të vitit 2017 ishte hapur oferta për tenderin “Sinjalizimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve në rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovës”. Në shtator të atij viti, ministër ishte emëruar Pal Lekaj i AAK-së. Në fund të marsit 2018 ishin nënshkruar 6 kontratat që mbulonin pjesën më të madhe të rrugëve që janë nën autoritetin e MI-së. Dy kontrata nuk kishin arritur të nënshkruheshin asnjëherë. Kjo ngase ministria vazhdimisht ka proceduar kundërligjshëm.

Para pak ditëve, një komision i ministrisë i përbërë nga tre anëtarë ka shpallur fitues për këto dy pjesë kompaninë “RSM Company”, në vlerë totale të ofertës 192, 542.20 euro për lot 2 dhe 219, 239.51 euro për lot 3, ose 411, 777 euro.

Më e lirë se kjo ofertë ka qenë oferta e kompanisë ITK, më gjithsej 57 mijë euro, ose rreth 28 mijë euro për secilin lot. Por, kjo kompani është eliminuar me arsyetimin kryesor se nuk ka staf të mjaftueshëm, pasi është e angazhuar në tri pjesë (lot) tjera, ani pse para se të jepej ky konstatim ato kontrata kanë pasur validitet edhe pak ditë.

Ky rivlerësim i tenderit që nxori fitues kompaninë RSM, erdhi pas vendimit të fundit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, ku i kërkoi ministrisë që të anulojë njoftimin për anulimin e aktivitetit të prokurimit dhe lëndën ta kthejë në rivlerësim.

OSHP-ja kishte nxjerrë disa vendime dhe një urdhëresë për ministrinë lidhur më këto dy pjesë të tenderit nga viti 2018. Tri vendimet e fundit të prokurimi të ministrisë ku ktheheshin në rivlerësim ofertat kishin të bënin me anulimin e krejt procedurës së prokurimit me arsyetimin se “Pas hapjes së tenderëve një shkelje e LPP-së ka ndodhur apo do të ndodhë në procedurat e prokurimit, e cila nuk mund të rregullohet apo të parandalohet përmes një amendamenti ligjor të kushteve të prokurimit: Më datën 01.08.2017 është publikuar njoftimi për kontratë, ndërsa më datën 21.08.2017, 31.08.2017, 04.09.2017, 07.09. 2017 dhe 11.04.2018 është bërë korrigjimi i njoftimit për kontratë, mirëpo dosja e tenderit nuk është korrigjuar asnjëherë”, thuhet në një pjesë të arsyetimit të anulimit”.

Kompania e shpallur fitues më herët ishte e pa përgjegjshme për ministrinë

Në vendimet e më passhme, sa herë që MI e eliminonte këtë kompani, pos tjerave shkruante se ka ofruar çmime manipulative në disa pozicione:

Aktualisht tenderi është pezulluar nga MI, pasi më datë 17 mars, kompania IKD dhe “Select prima” janë ankuar në ministri nën pretendimin që ka pasur shkelje gjatë rivlerësimit të tenderit.

Lajmi.net ka raportuar disa herë lidhur më këtë proces të prokurimit.

Herën e fundit, se si ishte bërë pronar më letra tek një kompani që e kishte fituar njërin nga këta tender një zyrtarë i ministrisë, i cili kishte vendosur kriteret teknike në dosjen e tenderit.

Sinjalizimi i rrugëve për lot 2 ishte i paraparë që të mbulojë këto rrugë:

Mutivodë –Prishtinë –Pejë M-9 ….. 157.00 km

Bellopoj –Istog –Vrellë R – 103 …..22.00 km

Klinë –Burim R 104 ….. 45.00 km

Skenderaj – Klinë –Vushtrri ….. 48.00 km

Pejë –Kullë R-106 ….. 26.50 km

Arllat –Rahovec –Xerxë R -110 ….. 38. 00 km.

Sipas pjesës së tretë të tenderit, për mirëmbajtjen të sinjalistikës janë paraparë këto rrugë:

M-9 Dollës –Ponoshec ….. 51.00 km

R- 107 Pejë –Prizren ….. 70.00 km

R-109 dDecan –Junik –Ponoshec ….. 18.00 km

R-111 Kramavik –Xerxë ….. 38.00 km

R-119 Kijevë –Malishevë –Dulë ….. 28. 00 km

R-120 Leban –Janjevë ….. 55.00 km

R121 Raushiq –Gllogjan –Zajm ….. 27. 30 km

R-129 Mitrovicë –Bajgorë ….. 35.00 km

R-220 Mitrovicë –Prill –Shkabaj ….. 32. 50 km

Për këto pjesë (lote) po nevojiten këto pozicione: 1, tërheqja e vijës së mesit e ndërprerë, 2. tërheqja e vijës së pandërprerë, 3. tërheqja e vijave kufizuese, 4. punimi i vijave të stopit, 5. Punimi i vijave të rreshtimit, 6. Punimi i ishujve dhe vendkalimeve, 7. Punimi i shigjetave dhe mbishkrimeve. /Mentor Buzhala –Lajmi.net/

Tenderi i sinjalizimit /Pritet që OSHP të marrë masa ndaj shefes së prokurimit dhe ministrisë

A ka një hetues për tenderin e sinjalistikës në Ministrinë e Infrastrukturës?