Shpërblehet Serbia, ndëshkohet Shqipëria

Ministrat e Jashtëm të BE’së i dhanë Serbisë vizën për të negociuar anëtarësimin në BE, ndërsa bllokuan kandidaturën e Shqipërisë. Ministri Ditmir Bushati reagon, Vlora Çitaku e mbështetë.

Lajme

17/12/2013 19:38

Ministrat e Punëve të Jashtme  të shteteve anëtare të Bashkimit Europian vendosën sot që bisedimet me Serbinë për anëtarësim në këtë union të fillojnë në janar, por nuk kanë saktësuar një datë.

“Nuk jemi marrë vesh për një datë konkrete”, tha Shefi i diplomacisë sllovene, Karl Erjavec duke dalë nga takimi i sotëm në Bruksel.

Sipas tij, datën për fillimin e negociatave do ta caktojë Greqia e cila që nga 1 janari është Kryesuese e radhës e BE’së.

Megjithatë, mediat serbe raportojnë se data do të jetë 21 janari

“Është e logjikshme që kjo datë të jetë 21 janari sepse atë ditë do të ketë takim të ministrave”, ka thënë një burim europian, raporton Tanjug.

Ai nënvizoi se Greqia mund ta ftojë konferencën ndërqeveritare BE- Serbi, pa ndonjë takim paraprak të ministrave.

Edhe Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule ka përmendur 21 janarin si datë të mundshme për këtë konferencë.

Por, ai ka thënë se çështja e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën mbetet e një rëndësie të veçantë për shpejtësinë e procesit të negociatave.

Sa i përket Shqipërisë, e cila nga ky takim ka pritur kandidaturën për anëtarësim në BE, Fule ka thënë se Këshilli i Ministrave ka njohur “progresin e rëndësishëm, një përpjekje të intensifikuar nga qeveria e re, ndërsa pret perspektivë të qartë të kandidaturës në qershor të vitit të ardhshëm.

Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ka shprehur pakënaqësi ndaj vendimit.

“Shtyrja e vendimit për statusin e kandidatit (për Shqipërinë) nuk e ndihmon Shqipërinë as rajonin. Jemi të përkushtuar të vazhdojmë procesin e reformave”, ka thënë Ministri Bushati në një reagim të parë të tij.

Keqardhje për Shqipërinë ka pasur edhe nga Kosova.

Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku i është përgjigjur në Twitter Stefan Fules duke i thënë.

“Shqipëria e meritoi statusin e kandidates! Rajonit i duhet një momentum! Ajo ka bërë gjithë ato që i janë kërkuar”, ka shkruar Çitaku.