Ndërtimet pa leje “fundosin” policë, zyrtarë dhe biznesmenë në Sarandë

Prokuroria e Sarandës ka lëshuar këtë të hënë, më 25 maj, plot 12 urdhër-arreste për efektivë të Komisariatit të Sarandës, zyrtarë lokalë, si dhe biznesmenë apo ndërtues. Tv Klan raporton se ata dyshohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me ndërtimet pa leje në Sarandë e Ksamil. Sipas gazetares, aktualisht një operacion i gjerë…

Lajme

25/05/2026 23:47

Prokuroria e Sarandës ka lëshuar këtë të hënë, më 25 maj, plot 12 urdhër-arreste për efektivë të Komisariatit të Sarandës, zyrtarë lokalë, si dhe biznesmenë apo ndërtues.

Tv Klan raporton se ata dyshohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me ndërtimet pa leje në Sarandë e Ksamil.

Sipas gazetares, aktualisht një operacion i gjerë i Drejtorisë së Policisë Vlorë dhe Komisariatit të Sarandës është duke u zhvilluar në shtrirje të gjerë.

Mësohet se deri më tani janë lëshuar 4 urdhër-arreste për efektivë të Komisariatit të Sarandës, 4 për zyrtarë të IMT Sarandë dhe 4 për ndërtues.

Nga zyrtarët e Komisariatit të qytetit bregdetar janë arrestuar efektivët me inicialet K.Sh. dhe K.S., specialistë zonash. Masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” është dhënë dhe për ish-shefin e Krimeve, me inicialet B.T., ndërsa është ende në kërkim oficeri i krimeve I.K. Ndërsa nga zyrtarët e IMT-së së Bashkisë Sarandë, nuk është arritur të kapet asnjë ende.

Sakaq, nga ndërtuesit është kapur vetëm pronari i një hoteli, me inicialet A.P., ndërsa tre të tjerë janë në kërkim.

Sjellim ndërmend se para disa ditësh, nga një operacion kundra ndërtimeve pa leje në Sarandë, u ndalua edhe shefi i Komisariatit Gëzim Bashllari.