Shiroka-Pula pritet t’ia kthejë nesër Kuvendit Ligjin për Specialen, paraprakisht takim me partitë politike

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, pritet që të nesër t’ia kthejë Kuvendit të Kosovës për rishqyrtim Ligjin për Dhomat e Specializuara Para marrjes së këtij vendimi, sipas raportimit, pritet të mbahet një takim mes presidentes dhe përfaqësuesve të partive politike, ku do të diskutohen zhvillimet rreth ligjit dhe hapat e mëtejshëm institucionalë. Detajet janë bërë…

Lajme

21/10/2026 21:31

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, pritet që të nesër t’ia kthejë Kuvendit të Kosovës për rishqyrtim Ligjin për Dhomat e Specializuara

Para marrjes së këtij vendimi, sipas raportimit, pritet të mbahet një takim mes presidentes dhe përfaqësuesve të partive politike, ku do të diskutohen zhvillimet rreth ligjit dhe hapat e mëtejshëm institucionalë.

Detajet janë bërë të ditura nga autori dhe moderatori i emisionit “Debat Plus”, Ermal Panduri, në TV Dukagjini. Deri më tani nuk ka ndonjë njoftim yzrtar nga Kuvendi apo Presidenca për këtë informacion, transmeton lajmi.net.

Çfarë parasheh Ligji për Specialen?

Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar u miratua nga Kuvendi më 6 tetor 2026, ndërsa më 15 tetor kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ia përcolli presidentes për shpallje.

Ndryshimet e miratuara parashohin disa ndërhyrje të rëndësishme në funksionimin dhe kompetencat e Gjykatës Speciale në Hagë, përfshirë:

  • Kufizimin e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet për veprat përkatëse.

  • Mundësinë që dënimet të vuajnë në Kosovë, në vend të ekzekutimit të tyre domosdoshmërisht jashtë vendit.

  • Mundësinë e faljes presidenciale në raste të caktuara.

  • Mundësinë e ankesave në Gjykatën Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me juridiksionin e Speciales.

  • Ndryshimin e periudhës kohore dhe fushëveprimit të juridiksionit të gjykatës.

Këto ndryshime kanë nxitur debat politik dhe juridik. Nga Bashkimi Evropian është vlerësuar se ato bien ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës, ndërsa Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka deklaruar se ligji ka probleme që duhet të adresohen dhe se kthimi i tij në Kuvend do të ishte vendim i duhur.

Çfarë ndodh nëse presidentja e kthen ligjin?

Sipas procedurave kushtetuese, presidentja ka të drejtë ta kthejë një ligj për rishqyrtim në Kuvend, me arsyet përkatëse. Këtë të drejtë mund ta ushtrojë vetëm një herë për të njëjtin ligj. Nëse Kuvendi e miraton sërish, ligji shpallet sipas procedurave kushtetuese.

Për momentin, mbetet të shihet nëse takimi i paralajmëruar me përfaqësuesit e partive politike do të mbahet dhe nëse presidentja do ta kthejë ligjin për rishqyrtim./lajmi.net/