Musliu-Shoshi akuzon VV-në për refuzimin e pesë amendamenteve: Për kë ka buxhet ky shtet?
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke pretenduar se kjo e fundit ka refuzuar pesë amendamente që, sipas saj, adresojnë nevoja të rëndësishme të qytetarëve. Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Musliu-Shoshi ka ngritur çështjen e ndarjes së buxhetit për kategoritë e ndjeshme të shoqërisë, duke përmendur…
Lajme
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke pretenduar se kjo e fundit ka refuzuar pesë amendamente që, sipas saj, adresojnë nevoja të rëndësishme të qytetarëve.
Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Musliu-Shoshi ka ngritur çështjen e ndarjes së buxhetit për kategoritë e ndjeshme të shoqërisë, duke përmendur invalidët e luftës, fëmijët e vrarë gjatë luftës, fëmijët me nevoja të veçanta dhe pacientët me sëmundje të pashërueshme, transmeton lajmi.net.
Sipas deputetes së PDK-së, amendamentet e refuzuara kanë të bëjnë me sigurimin e protezave për invalidët e luftës, ndërtimin e një obelisku për fëmijët e vrarë gjatë luftës, krijimin e një qendre për fëmijët me autizëm dhe sindromën Down, ndërtimin e një qendre të kujdesit paliativ, si dhe krijimin e kushteve për qasje të barabartë në shkolla për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Në reagimin e saj, Musliu-Shoshi ka kritikuar vendimin për refuzimin e këtyre amendamenteve, duke theksuar se ndarja e buxhetit pasqyron prioritetet e institucioneve.
“Buxheti tregon prioritetet. Vota tregon përgjegjësinë”, ka shkruar ajo.
Deputetja e PDK-së e ka përmbyllur reagimin me pyetjen se për kë ndahen mjetet e shtetit, nëse ato nuk adresojnë nevojat e qytetarëve që kanë më së shumti nevojë për mbështetje.
Reagimi i plotë i Ariana Musliu-Shoshit:
PËR KË KA PARA KY SHTET?!
5 amendamente. 5 kërkesa jetike. 5 refuzime nga LVV!
JO për PROTEZAT e INVALIDËVE të LUFTËS, që lanë gjymtyrët e trupit për lirinë tonë!
JO për Obeliskun e fëmijëve të vrarë gjatë luftës, që meritojnë kujtim të përhershëm dhe nderim shtetëror!
JO për ndërtimin e Qendrës për fëmijët me AUTIZËM, sindromën Down dhe nevoja të tjera të veçanta!
JO për Qendrën e Kujdesit PALIATIV, ku pacientët me sëmundje të pashërueshme do të mund të merrnin kujdes dhe dinjitet në ditët më të vështira të jetës!
JO për krijimin e kushteve që FËMIJËT me AFTËSI të KUFIZUARA të kenë QASJE të barabartë në shkolla!
Buxheti tregon prioritetet. Vota tregon përgjegjësinë.
Për kë ka buxhet, nëse nuk ka për ata që kanë më së shumti nevojë?!/lajmi.net/