Serwer këshillon Listën Studentore për raportet me Kosovën: Nëse doni përmirësim të marrëdhënieve me BE-në, zbatoni dhe nënshkruani marrëveshjet ekzistuese

Daniel Serwer thotë se drejtimi ndërkombëtar i udhëheqjes së re në Serbi mbetet i paqartë, ndërsa kërkon nga SHBA-ja dhe BE-ja të insistojnë në reforma demokratike, bashkëpunim rajonal dhe respektimin e integritetit territorial të Kosovës. Profesori dhe studiuesi i politikës së jashtme në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka vlerësuar se fitorja e Listës Studentore…

Lajme

27/10/2026 20:24

Daniel Serwer thotë se drejtimi ndërkombëtar i udhëheqjes së re në Serbi mbetet i paqartë, ndërsa kërkon nga SHBA-ja dhe BE-ja të insistojnë në reforma demokratike, bashkëpunim rajonal dhe respektimin e integritetit territorial të Kosovës.

Profesori dhe studiuesi i politikës së jashtme në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka vlerësuar se fitorja e Listës Studentore në Serbi dëshmon se politika e stabilokracisë ka dështuar dhe se demokracia e mirëfilltë mund të mbijetojë në Ballkan.

Në një intervistë për lajmi.net, Serwer ka thënë se, megjithëse programi i Listës Studentore përqendrohet në drejtësi, dije dhe zhvillim, ende nuk dihet nëse kjo listë do të arrijë të ruajë unitetin dhe cilat do të jenë prioritetet e saj kryesore.

Ai ka theksuar se Lista Studentore ka folur pak për raportet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, ndonëse, sipas tij, pritet të jetë më serioze në procesin e integrimit evropian sesa presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Nuk e dimë vërtet. Programi i Listës Studentore është mjaft i qartë sa i përket përqendrimit në drejtësi, dije dhe zhvillim, përfshirë masa konkrete. Por, nëse Lista mund të mbetet e bashkuar dhe cilat do të jenë prioritetet e saj, është e paqartë. Lista ka thënë pak për SHBA-në dhe BE-në, megjithëse supozohet se do të jetë më serioze për anëtarësimin në BE sesa Vuçiqi”, ka deklaruar Serwer.

Serwer: Lëvizja studentore do të përballet me pengesa

Duke folur për mundësinë që lëvizja studentore të sjellë ndryshime thelbësore në kulturën politike të Serbisë, Serwer ka paralajmëruar se procesi nuk do të jetë i lehtë.

Sipas tij, nëse studentët synojnë një transformim të thellë politik dhe institucional, ata do të përballen me kundërshtime nga parlamenti, administrata shtetërore dhe segmente të ndryshme të shoqërisë serbe.

Përveç kësaj, ai ka përmendur edhe Rusinë dhe Kinën si faktorë që mund të kundërshtojnë një ndryshim të tillë.

“Sigurisht që mund të përballet me pengesa të mëdha nëse synon ta ndryshojë rrënjësisht kulturën politike të Serbisë. Do të ketë kundërshtime në parlament, në administratën shtetërore dhe në vend, për të mos përmendur Rusinë dhe Kinën”, ka thënë Serwer.

Raportet me Kosovën, Serwer kërkon zbatimin e marrëveshjeve

Sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohjes së ndërsjellë dhe zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese, Serwer ka thënë se aktualisht ka pak bazë për të parashikuar se si do të veprojë udhëheqja e re në Beograd.

Ai ka rikujtuar se studentët, në muajin maj, kishin riafirmuar pretendimin e Kushtetutës së Serbisë për sovranitet mbi Kosovën.

Megjithatë, sipas tij, nëse Beogradi dëshiron t’i përmirësojë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, do të duhet të tregojë fleksibilitet në çështjen e Kosovës.

“Ka pak bazë mbi të cilën mund t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje. Studentët në maj përsëritën pretendimin e Kushtetutës së Serbisë për sovranitet mbi Kosovën, por nëse Beogradi dëshiron t’i përmirësojë marrëdhëniet me BE-në, do të jetë i nevojshëm një fleksibilitet i caktuar për Kosovën. Do të sugjeroja që qeveria e re t’i zbatojë dhe t’i nënshkruajë marrëveshjet ekzistuese”, ka theksuar ai.

Serwer ka folur edhe për ndikimin që mund të ketë ndryshimi politik në Serbi në stabilitetin rajonal, veçanërisht në veri të Kosovës dhe në Bosnjë e Hercegovinë.

Ai ka vlerësuar se një periudhë pasigurie do të jetë e pashmangshme, por se shumë shpejt do të bëhet e qartë nëse tranzicioni politik do të sjellë ndryshime në politikën rajonale të Serbisë.

“Sigurisht që do të ketë pasiguri për një kohë. Por, shumë shpejt do të bëhet e qartë nëse tranzicioni politik do të sjellë ndryshime në politikën rajonale. Shpresoj që po”, ka thënë Serwer.

Çfarë duhet të bëjnë SHBA-ja dhe BE-ja?

Profesori amerikan ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të ushtrojnë presion të qartë dhe të vendosur ndaj udhëheqjes së re serbe për reforma demokratike dhe bashkëpunim rajonal.

Sipas tij, prioritetet duhet të përfshijnë lirinë më të madhe të mediave, kufizimin e patronazhit politik dhe favorizimit nga qeveria në kontraktimin publik, si dhe gjetjen e mënyrave për bashkëpunim me Kosovën.

Serwer ka theksuar gjithashtu se Beogradi duhet të bashkëpunojë me vendet e rajonit dhe të kontribuojë në garantimin e integritetit territorial të Kosovës.

“SHBA-ja dhe BE-ja duhet të jenë të qarta dhe të vendosura në theksimin e nevojës për media më të lira, më pak patronazh dhe favorizim nga qeveria në kontraktimin publik, bashkëpunim me pjesën tjetër të rajonit dhe gjetjen e mënyrave për të bashkëpunuar me Kosovën për të siguruar integritetin e saj territorial. Sponsorizimi i Listës Serbe në Kosovë nga Beogradi duhet të përfundojë”, ka deklaruar ai.

Fitorja studentore, goditje për politikën e stabilokracisë

Duke vlerësuar rëndësinë më të gjerë të zhvillimeve politike në Serbi, Serwer ka thënë se fitorja e Listës Studentore mund të shënojë një pikë kthese për demokracinë në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, ky rezultat tregon se modeli i stabilokracisë, në të cilin stabiliteti politik përdoret si argument për tolerimin e mangësive demokratike, është një politikë e dështuar.

“Unë mendoj se fitorja e Listës Studentore është një tregues i qartë se stabilokracia është një politikë e falimentuar dhe se demokracia e vërtetë mund të mbijetojë në Ballkan. Nuk shoh se si Lista Studentore mund të mos shkëputet nga politikat e qeverisë së mëparshme në planin e brendshëm, por drejtimi i saj ndërkombëtar ende nuk është i qartë”, ka thënë ai.

Daniel Serwer është profesor dhe studiues i lartë në Institutin e Politikës së Jashtme në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara./lajmi.net/